Në ndeshjen hapëse të xhiros së nëntë në Superligën e basketbollit, Rahoveci ka arritur ta mposhtë Dritën në Gjilan.
Takimi mes skuadrave në fjalë u mbyll me rezultat 104-122 në të mirë të Rahovecit, për të cilin kjo ishte fitorja e dytë sezonale dhe njëkohësisht e para pas 5 humbjeve radhazi në ligë.
Dominimi i vreshtarëve filloi që nga çereku i parë, i cili u mbyll 25-36, e më pas edhe pjesa tjetër e ndeshjes u menaxhua mirë (23-29, 29-26, 27-31) dhe ndeshja u mbyll me triumf.
Më të dalluarit në fitoren e Rahovecit sonte ishin Altin Morina (31 pikë,8 asistime, 7 kërcime), Milik Yarbough (26 pikë, 16 kërcime, 5 asistime) dhe Tyheim Monroe (22 pikë, 16 kërcime, 1 asistim), kurse te Drita me mbi 20 pikë luajtën Isiah Johnson (28 pikë, 6 kërcime, 3 asistime) dhe Marcus Mayers (25 pikë, 5 asistime, 2 kërcime).
Pas 9 ndeshjeve të luajtura, Drita ende nuk di për fitore sivjet në Superligë, kurse Rahoveci deri më tash ka zhvilluar 8 ndeshje dhe ka bilanc 2-6. Që të dyja fitoret e shënuara sivjet Rahoveci i ka ndaj Dritës.
Xhiron që vjen, Rahoveci e pret Pejën në “Mizahir Isma”, kurse Drita i shkon Trepçës në “Minatori”.