Gjilan

KPF rekomandon buxhetin, planin zhvillimor komunal ia lë përbërjes së ardhshme të Kuvendit

Gjilan, 8 shtator 2021 / Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, rekomandoi për Kuvend Komunal propozim-buxheti për vitin fiskal 2022 si dhe vlerësimet e hershme për vitet 2023-2024, ndërkaq e la për vendimmarrësit e ardhshëm komunalë Planin Zhvillimor Komunal 2021-2029, meqë opozita nuk u dakordua që të bëhet tani.

KPF rekomandoi për Kuvend edhe propozimin e Avdyl Aliut (LDK) për subvencionimin e auto transportuesve, të cilët po përballen me një gjendje të rëndë financiare shkaku i pandemisë, meqë janë të detyruar të punojnë me kapacitete të reduktuara.

Në të vërtetë, duke qenë se kjo ishte edhe mbledhja e fundit e KPF, kjo pikë shkaktoi tensione ndërmjet pozitës dhe opozitës, e cila nuk ishte dakord me propozimin, me arsyetim se kjo po bëhet për arsye politike, sepse nuk ka mjete për t`i mbuluar nevojat e auto transportuesve.

Përfaqësuesit e pozitës, ndërkaq thanë se për të ndihmuar nuk ka kohë të keqe në asnjë moment, qoftë para, qoftë pas zgjedhjeve.

Pas sqarimeve të drejtoreshës së Buxhetit Meral Sadriu dhe shefit Financiar, Ilmi Limani se ekzistojnë alternativa për t`i gjetur mjetet buxhetore për këtë qëllim, rekomandimi u miratua me 4 vota, një kundër dhe 4 abstenime.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit, ka thënë se shoqata e auto transportuesve ka bërë më herët kërkesë për ndihmë.

‘Ata kanë nevojë për ndihmë, kurse ne kemi gatishmërinë për t`i ndihmuar, ndërkaq i mbetet Kuvendit që të vendos dhe drejtorisë që t`i hulumtojë mundësitë për t`i siguruar mjetet”, ka thënë ajo.

KPF rekomandoi për Kuvend edhe kërkesën për kompensimin e komisionit për vlerësimin e ofertave.

You Might Also Like