Kryetari i komunës Sokol Haliti, ka pritur në takim shefen e Seksionit të Qeverisjes në Departamentin e Demokratizimit Meghan McCormack dhe Nensi Jasharaj, zyrtare e lartë e programit, me të cilat ka biseduar për aktivitete komunale, projektet e në veçanti rreth vizitës studimore të realizuar javën e kaluar në Graz të Austrisë. Kryetari Haliti falënderoi përfaqësuesit e OSCE-së për aranzhimin dhe bashkëpunimin për realizimin e vizitës në Graz, duke vlerësuar si shumë të rëndësishme këtë vizitë studimore që ofron mundësinë e shkëmbimit të përvojave profesionale mes të dyja komunave. Ndër tjerash ai theksoi se këto përvoja janë rëndësisë së veçantë, posaçërisht në fushën e respektimit të barazisë gjinore, duke hartuar politika dhe dokumente që respektojnë dhe promovojnë barazinë. Ai tha se nga kjo vizitë kanë marrë edhe më shumë njohuri qe të vazhdohet me provimin e barazisë gjinore në çdo aspekt. Kurse McCormack tha se është tejet e kënaqur me vizitën që është realizuar javën e kaluar, ndërkohë ka paralajmëruar se një vizitë e zyrtares për barazi gjinore dhe e kryetares së komunës së Grazít të realizohet në komunën e Vitisë në muajin maj të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, një prezantim të rregulloreve të aprovuara që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, e bëri zyrtarja komunale Ibadete Hyseni, e cila theksoi se janë një sërë rregulloresh që e prekin kategorinë e femrave, siç është ajo për ngarkesa, taksa e gjoba, ku janë të liruara gratë kryefamiljare, viktimat e dhunës në familje, gratë fermerë nga taksat e bujqësisë, ato nga komuniteti RAE etj.