Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot në takim bashkatdhetarë që jetojnë në Turqi, familjarët e të cilëve ishin zhvendosur nga trojet shqiptare. Ata shoqëroheshin nga Rexhep Gündüz, përfaqësues i Shoqatës së Kulturës dhe Kontributit për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, me seli në Bursa të Turqisë. Me këtë rast, kryetari Haliti u uroi atyre mirëseardhje në atdheun e tyre, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, kulturës dhe traditave shqiptare. Ndërkaq, z. Gündüz u shpreh se është hera e parë që këta shqiptarë me origjinë nga treva të ndryshme shqiptare vizitojnë Kosovën. Ai shtoi se shumica prej tyre rrjedhin nga familje të cilat ishin zhvendosur për në Turqi gjatë viteve 1912, 1924 dhe 1935. Aziz Zuka



