Gjilan

Kurteshi-Emini: Fillimi i vitit të ri në kushte pandemie do të diskutohet në seancën e rregullt të Kuvendit

Gjilan, 21 shtator 2020 / Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal raportin e punës të kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor 2020 si dhe raportin e Auditimit për pasqyrat financiare për vitin 2019.
Njëherësh, Komiteti ka rekomanduar për Kuvend katër pesë propozim-vendime: propozim buxhetin për vitin 2021 si dhe vlerësimet e hershme për vitet 20202-2023, propozim-vendimin paraprak për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronave të paluajtshme të komunale, propozim-vendimin për formimin e Komisionit vlerësues të ofertave, propozim-vendimin për ndryshimin e vendimit për themelimin e komisionit për vlerësimin e ankesave në procedurën e dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale, të datës 30.05.2019, propozim -vendimin për caktimin e normave tatimore në pronën e paluajtshme për vitin 2021.
Po ashtu, KPF ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend edhe kërkesën e Drejtorisë për Arsim për ndarjen e bursave për studentë të dalluar për vitin akademik 2019/2020 si dhe kërkesën e Këshillit të fshatit Zhegër për emërtimin e sheshit të fshatit me emrin “Qahil Agush Agushi”.
Me kërkesën e opozitës (LVV e PDK) dhe dakordimin e partnerëve të koalicionit LDK-AKR, u vendos që në rend dite të seancës së Kuvendit të përfshihet edhe një pikë e veçantë – informata për fillimin e vitit të ri shkollor në kushtet e pandemisë.
Në të vërtetë, kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini ka thënë se Drejtorisë së Arsimit do t`i kërkohet që të sjellë një informatë për fillimin e vitit të ri, në seancën e rregullt të Kuvendit, ku mund të zhvillohet edhe një debat për këtë çështje, me çka u pajtua edhe opozita, e cila fillimisht kërkoi seancë të jashtëzakonshme.
Në të vërtetë, pengesat që ka sjellë pandemia në mbarëvajtjen e aktiviteteve komunale, për shkak se është dashur të punohet me kapacitete të reduktuara, nënvizohen edhe në raportin e kryetarit të Komunës.

 

You Might Also Like