Shkruan: Prof.Dr. Abdulla Elezi –
Po e fillojmë këtë shkrim me thënien e Anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bardhyl Meta “S’gjeni asnjëherë, në asnjë pjesë të historisë së vendit – e historisë së saj (LDK-ës), që Kosova të ketë vuajtur nga vendimet e saj”. Do të ishte e vërtetë po sikur që këto vendime të LDK-ës të ndaheshin në dy periudha, periudha e udhëheqjes së LDK-ës para dhe pas vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës. Pasi që LDK-ja ishte subjekti politik më i madh dhe më me ndikim në Kosovë është pritur që vendimet e kësaj partie politike të jenë përherë vendime për të mirën e partisë dhe për të mirën e Kosovës. Kështu nuk ndodhi. Shkatërrimi i LDK-ës si parti politike më me ndikim në jetën politike në Kosovë filloi në Kuvendin e VI zgjedhor të LDK-së i cili kuvend u përcoll me shumë parregullsi në punën e duke filluar nga propozimi i listës së kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së që nga komisioni kandidues që ishte përjashtues e diferencues, jo gjithëpërfshirës ku nga lista u përjashtuan aktivist shumëvjeçar të LDK-së, veprimtarë dhe zyrtarë të lartë të LDK-së, kryetarë të degëve të LDK-së dhe përfaqësues të diasporës së LDK-së nga SHBA dhe Evropa. Ky ishte fillimi i shkatërrimit të LDK-së ku vendimet e këtij Kuvendi zgjedhor i kanë sjellë vuajtje shpirtërore dhe zhgënjim anëtarëve të LDK-së dhe Kosovës. Vuajtje elektoratit të LDK-ës dhe Kosovës i ka shkaktuar vendimi i marr në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së në Nëntor të vitit 2014, para se Mustafa e Thaçi të bëjnë publike se janë marrë vesh për të udhëhequr me vendin, edhe pse disa anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së i kishin dhënë arsyet pse një koalicion i tillë, qoftë edhe me pozitën e Kryeministrit për LDK-në do të nënkuptonte fundin e partisë. Këto arsyetime z. Isa Mustafa nuk i mori parasysh duke u arsyetuar se dikush nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së që e kishin kundërshtuar koalicionin me PDK-në mendonin vetëm për interesa personale. Kishte me qenë mire që z. Isa Mustafa të kishte dhënë përgjigje se çfarë interesa personale kishin disa anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së që kërkonin që LDK-ja të qëndroj në një opozitë të dinjitetshme e jo të bashkohet me krimin. A mund ta shpjegoj z. Isa Mustafa sa a e kishte zvogëluar besimin e palëkundur të elektoratit të LDK-ës kur dihet se një vendim i tillë ishte në kundërshtim me vullnetin e elektoratit ku kërkesa e vetme ka qenë kjo: JO ME PDK-në. Të vërteta ishin pohimet e disa anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së (që z. Isa Mustafa nuk i murr parasysh) se nëse ky koalicion arrihet, ishin të vetëdijshëm që po lidhet marrëveshje me një parti e cila parim jetik të saj e ka pasur (dhe e ka) mosrespektimin e marrëveshjeve. Vuajtje të mëdha te elektorati i LDK-ës kishte shkaktuar vendimi i Kuvendi i VIII-të Zgjedhor i LDK-së kur z. Isa Mustafa u rizgjodh kryetar. Dihe rrjedha e këtij Kuvendi të VIII-të zgjedhor që ishte përcjell me shumë parregullsi: Delegatët nga Zvicra dhe Gjermania nuk u lejuan të marrin pjesë në kuvend, Mediet të cilat ishin duke përcjellë Kuvendin e VIII-të zgjedhorë të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin larguar nga salla ku po mbahej ky kuvend, Vjosa Osmanit edhe pse kishte marr 62 vota për t’u nominuar për garën e kryetarit të LDK-së, por me këto vota ajo nuk kishte arritur që t’i hyjë kësaj gare, kështu që në këtë garë për kryetar kishte mbetur vetëm kryetari aktual, ku Isa Mustafa ishte rizgjedhur kryetar i LDK-së edhe për një mandat tjetër sepse ai ishte zgjedhur me aklamacion me vetëm dy vota kundër dhe pasi që Vjosa Osmani nuk kishte marr votat e mjaftueshme për tu kandiduar. Athua, a ishte e vërtet thënia e Kryetarit të deritanishëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës z. Isa Mustafa se ky Kuvend Zgjedhorë do të tregojë se partia e tij do të jetë më e fortë se kurrë. Jo vetëm që nuk doli se LDK-ja ishte partia më e fortë, por, ajo në zgjedhjet e fundit nacionale doli e treta, edhe atë në koalicion me dy partitë tjera. Me siguri LDK-ja e bashkuar me dy partitë tjera nuk do të ishte me numrin e deputetëve këtu ku është (29 deputet) po mos të kishte qenë reagimi i Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (Ë) se nuk do të bashkëpunojmë me z. Isa Mustafa nëse propozohet për mandatar. Moskandidimi i z. Isa Mustafa ka ndikuar që të shtohet elektorati i LDK-ës dhe të zgjedhën këta deputet të cilët janë zgjedhur. A është i vetëdijshëm z.Isa Mustafa si Kryetar i LDK-ës apo LDK-ja e z. Isa Mustafës se në cilën rrugë po shkon, në rrugën që po i sjell shumë vuajtje LDK-së dhe Kosovës. Njejtë sikur në kohën e komunizmit, në kohën kur kryetari i partisë komuniste thoshte se “Kush është kundër meje është kundër Partisë Komuniste të Jugosllavisë”. Athua z. Isa Mustafa a e ka kuptuar se sa e sa vuajtje i ka sjellur elektoratit dhe Kosovës gjatë mandatit të tij. Që të mos përsëriten gabimet e bëra nga z.Isa Mustafa si Kryetar i LDK-ës dhe që të mos vuaj nga vendimet e LDK-ës elektorati dhe Kosova, z.Isa Mustafe duhet të reflektoj pozitivisht, të jap dorëheqje. Me këtë akt do të hapeshin rrugët që sa më parë të mbahen zgjedhjet brenda LDK-ës, në mënyrë që të mos pësoj edhe një rënie të elektoratit në zgjedhjet komunale. Domethënë, të mbaj Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë dhe në këtë Kuvend të zgjedhën delegatët dhe Kryetari i cili do të ia kthej namin LDK-ës. Në të kundërtën, z. Isa Mustafa do të ishte përgjegjës kryesor për shkatërrimin e LDK-ës dhe do të ishin vuajtjet e fundit të elektoratit nga Kryetari i saj. Në fund mund të parashtrojmë pyetjen, athua nuk u mbush mend, z. Isa Mustafa se kush është fajtor i humbjeve të tri palë zgjedhjeve, kush është ai që ka nënshkruar marrëveshjen për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe e që është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, pasi është vërejtur se Kushtetuta është shkelur në 23 pika. Parashtrohet pyetja, cilat tipare të personalitetit dominojnë te z. Isa Mustafa. Edhe pse ka pak kërkime empirike mbi tiparet e personalitetit të politikanëve ka shumë komente mbi këtë temë nga psikoanalistët dhe psikologët. Konkluzionet e psikologëve të ndryshëm janë shumë të ngjashme dhe theksojnë se shumica e politikanëve (sipas gjitha gjasave edhe z.Isa Mustafa si Kryetar i LDK-ës) janë persona me tipare narcizoide.
Prishtinë, 21.08.2017