OPINION

Logjika anakronike e “distancimit”

Shkruan: Mehmetali Rexhepi, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe –

Në jetë ndodhin gjëra të cilat nuk mund të mbahen të fshehta, sepse vjen një rrethanë dhe bien maskat… Shtrohet pyetja e mëdyshjes: si kërkoi Partia Vetëvendosje “distancim “ nga Profesor Dr. Sadri Ramabaja, anëtar i devotshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, pse Sadriu paska shprehur një konstatim brengosës të kahes kah po e shpien rrymat e errëta radikale në emër të islamit identitetin e etnisë shqiptare?! Si duket në kokat e “distancuesve” ende paskan mbetur viruset e “leçitjes”, të diferencimit ideor-politik të stilit të LKJ-s fantazmë?! Shumë i paska hyrë në gjak pushteti këtij klani, aq sa për vota të radikalëve e mjekërzinjve qenkan në gjendje të djegin në turrë drush, madje dhe përfaqësuesit vetjakë të mendimit të lirë, por të shqetësuar?! Brenga e një intelektuali me edukatë etnike dhe kulturë evropiane për katandisjen e turmës pas mendësisë së errët mesjetare, për Vetëvendosjen spekulative qenka veprim ”blasfemik”, andaj u dashka “diferencuar” nga autori i asaj “blasfemie!” A jeni në vete ju të verbuar nga karrierizmi?!

Pohimet e z.Sadri Ramabajës nuk janë kurrfarë blasfemie, përpos brenga të një atdhetari demokrat pro evropian e anti haxhiqamilistë, të cilët, sipas Tij, duan ta rikthejnë prapa rrotën e ecjes së mbarë të etnisë shqiptare edhe në mijëvjeçarin e tretë! Sipas këtij diskursi, te ne lejohet të bëhesh gjithçka: vetëm shqiptarë i mirëfilltë jo! Nuk ka rëndësi autoktonia, përpjekjet shekullore për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesit serbë, grekë, maqedonë, dhe tashmë shqiptarëve u vërsulet lukunia e mjekrave radikale, thuajse lehtë mund të përballohen planet dhe lufta speciale serbe-ruse dhe lutjet e popëve serbë e grekë të Kishes Ortodokse Serbe për zhbërjen e çështjes e të faktorit shqiptar!…

Sido qoftë as Zoti i qiellit, as Zoti i tokës nuk i pranoi lutjet e pop Jirinejit e të jirinejve tjerë për zhbërjen tonë… Mirëpo, bardhësitë e atdheut po i nxiros futa e zezë…

Tashti po i shohim se çfarë grupimesh e struktura aventurierësh pretendojnë bashkimin e shqiptarëve?!

Të mos i dalësh ndesh mëtimit të atyre që duan përmbysjen e Rilindjes së ndritshme Kombëtare Shqiptare, të figurave emblematike të vetëdijes, të heshtësh për bastardimin e gjuhës, të veçorive tona fisnike, veshjes e dukjes tonë estetike; t`i pranosh të gjitha këto shartime të panatyrshme vetëm e vetëm që të marrësh ndonjë votë më shumë e ndonjë gram pushteti?!… Heeej…Ju i përkisni kategorisë të së shëmtuarës! Mos u sillni ashtu militantë të lëbyrur pas pushtetit, se gjaku i dëshmorëve dhe viktimave do t`iu mallkojë ju dhe ne, të cilët po pajtohemi me tjetërsimin…

Le të qarkullojë mendimi i lirë i kritikës fisnike mëkuese, vedijësuese, shëruese, parandaluese, argumentuese, assesi diskualifikimi, etiketimi, paragjykimi, linçimi klanor brenda subjekteve politike… Shqiptarët duhet të fitojnë të pa hibridizuar me gjithfarë lloj izmash… Kahja për stërkeqe të tyre është shqetësuese! Kjo i dhemb intelektualit dhe atdhetarit shqiptar, por jo karrieristëve të gjitha ngjyrave, që para vetëdijes kombëtare kanë votën e përfitimit, qoftë dhe me kushtin e tjetërsimit të tyre kombëtar!

Më së vështiri qenka të jesh shqiptar, ama puro shqiptar!

Mehmetali Rexhepi

Gjilan , më 26 qershor 2017

You Might Also Like