Gjilan, 22 nëntor 2017 – “Gjilani është duke i bërë përgatitjet e mëdha për shënimin e festave të nëntorit, ku më 27 nëntor do të inaugurohen pesë bustet e heronjve të kombit, duke kulmuar me manifestimin qendror në inaugurimin e shtatores së kolosit, Idriz Seferi. Definitivisht, 105-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë identifikohet me Vlorën dhe Gjilanin”.
Këto komenti kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka bërë pas takimit me bordin e drejtorëve, duke shtuar se si Bord janë duke punuar me detyra të kufizuara, meqë pritet betimi i kryetarit në ceremoninë e mbledhjes së parë të konstituimit të Kuvendit.
“Ne presim me ardhë dy presidentë në Gjilan dhe shumë personalitete shqiptare nga Maqedonia, Mali i Zi e Kosova Lindore. Apeli im publik është që të vijnë edhe bashkatdhetarët kudo që jetojnë në Europë apo Amerikë, në mënyrë që ta ndajmë së bashku këtë festë të madhe”, ka deklaruar kryetari Haziri.
Përndryshe, më 27 nëntor në ora 9:00 do të vendosen bustet e Reshat Ymerit, i vrarë si kryengritës në lëvizjen protestuese në fillimvitet 90-ta, do të vazhdoj me nderimin e madh të njeriut të shkencës, Xhavit Ahmetit, ushtarakun dhe luftëtarin e lirisë, Muharrem Ibrahimin, dhe dy intelektualët më të mëdhenj që në Luftën e Dytë janë pushkatuar në mënyren më mizore: Esat Berisha dhe Halim Orana.
Ndërkaq, manifestimi qendror mbahet në ora 11:00 me ceremoninë e inaugurimit të shtatores së heroit të kombit, Idriz Seferi në qendër të Gjilanit.