Gjilan, 22 nëntor 2017 – Rexhep Kadriu, i cili deri dje ishte nënkryetar i Gjilanit, sot është emëruar zëvendësministër i Infrastrukturës dhe takimin e parë për bashkëpunim dhe koordinim të punëve e ka realizuar me kryetarin, Lutfi Haziri.
“E falënderoj z. Kadriu për kontributin e tij profesional për këto katër vite në realizimin e projekteve për Komunën e Gjilanit. Besoj që emërimi i tij në postin e ri është i qëlluar dhe besoj shumë që do ta vazhdojmë bashkëpunimin në realizimin e projekteve infrastrukturore për qytetarët. I uroj shëndet, fat dhe suksese”, ka thënë kryetari Haziri, përderisa e ka nderuar me mirënjohje për kontributin e dhënë.
Ndërkaq, zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, e ka falënderuar kryetarin e Gjilanit për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm për katër vitet e qeverisjes lokale.
“Takimin e parë në detyrën e re po e zhvilloj në këtë zyre, ku kemi punuar së bashku me kryetarin Haziri, të cilin e falënderoj shumë për besimin ndaj meje. Ato projekte infrastrukturore që kryetari i ka shty gjatë mandatit të kaluar, do të vazhdojnë, si bie fjala Autostrada dhe rrugët hyrëse dhe dalëse. Po e shfaqi zotimin se Gjilanin nuk do ta harroj asnjëherë”, ka deklaruar zëvendësministri Kadriu.