Gjilan

Lutfi Haziri përfaqëson LDK-në në takimin vjetor të PPE-së në Bruksel

Bruksel, 4 dhjetor 2017 – Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është duke qëndruar në Bruksel si përfaqësues i LDK-së në takimin vjetor të Partive Popullore Evropiane dhe në kuadër të Kuvendit Politik të PPE-së.

Presidenti i Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul, i cili gjatë këtij viti ka vizituar Gjilanin dhe Kosovën, e ka uruar Lidhjen Demokratike të Kosovës për fitoren dhe radhitjen si partia e parë në nivel vendi pas zgjedhjeve lokale të mbajtura këtë vit.

Presidenti Daul gjithashtu e ka uruar edhe kryetarin Lutfi Haziri, për suksesin e madh të arritur në zgjedhjet e fundit në nivel lokal dhe për mandatin tjetër qeverisës me Gjilanin.

Siç ka njoftuar nënkryetari I Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, gjatë ditës së nesërme do të diskutohet për progresin e arritur dhe sfidat me të cilat po përballet Republika e Kosovës në përgjithësi.

“Edhe dita e sotme, por edhe ajo e nesërmja do të jenë në funksion të hapur të diskutimit.  Normalisht interesi ynë është kur diskutohet konkretisht për Republikën e Kosovës. Gjatë ditës së nesërme është sesioni i diskutimit për sfidat me të cilat po përballet Kosova në fusha të ndryshme dhe në raportet e jashtme në përgjithësi, por poashtu do të diskutohet edhe për të arriturat e shënuara gjatë këtij viti. Kisha nderin që të marr urimet e presidentit të PPE-së Daul, për fitoren e LDK-së si partia e parë në nivel të Republikës pas zgjedhjeve lokale dhe njëkohësisht urimin për fitoren time edhe për një mandate me Gjilanin si një qytet i mundësive të mëdha”, ka thënë mes tjerash nënkryetari I LDK-së, Lutfi Haziri.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri sot ka njoftuar Asamblenë e EPP-së për zgjedhjet lokale dhe suksesin e sfidat e dalura. Rivotimi në Istog dhe kërkesat për rinumërim për Komunën e Prishtinës, Dragashit dhe Prizrenit. Haziri ka thënë poashtu se procesi zgjedhor ka qenë mirë i organizuar në bazë të ligjit dhe pa probleme në përgjithësi dhe i ka cilësuar si zgjedhjet më të mira lokale.

You Might Also Like