Gjilan, 13 qershor / Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan, ka pranuar sot një donacion në pajisje nga Republika e Turqisë, në vlerë 20 mijë euro, në një ceremoni ku marrë pjesë kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ambasadori turk në Prishtinë, Sabri Tunç Angili, komandanti i KFOR-it turk në Kosovë, kolonel Recai Yilmaz, koordinatori i organizatës TIKA, Cihan Dinçer, si dhe përfaqësues të tjerë nga Turqia dhe komuna e Gjilanit.
Me këtë rast, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se ky projekt është vazhdim i bashkëpunimit të mirëfilltë mes Kosovës dhe Turqisë, po edhe i ndihmës që i ka dhënë vendit tonë deri tani populli turk dhe qeveria turke.
Ai ka theksuar se nga Turqia pret përkrahje edhe në të ardhmen.
“Ne do të vazhdojmë të jemi falënderues për kontributin e dhënë nga Turqia në Kosovë, ndërkohë që mund të them se në takimin e sotëm me ambasadorin kishim edhe një diskutim që shkon përtej ndihmës së njëanshme kundrejt Kosovës”, ka thënë kryetari Hyseni.
Njëherësh, kryetari Hyseni falënderoi ambasadorin për vizitën e sotme në Gjilan dhe bisedën e mirë e konstruktive që patën së bashku, duke uruar që shumë shpejt, ato që janë diskutuar në takimin e sotëm, të fillojnë të jetësohen e të bëhen realitet, duke mos harruar të përmend as ndihmat dhe bashkëpunimin e mëhershme nga ky shtet mik.
Përndryshe, siç thanë përfaqësuesit nga ambasada dhe këshilli turk në Kosovë, Turqia e ka ndihmuar Kosovën edhe deri tani në kulturë, arsim, infrastrukturë dhe fusha tjera, përmes projekteve që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, siç është një i tillë edhe projekti për QKMF-në në Gjilan.
Drejtoresha e QKMF, Arbenita Hajdari ka thënë se donacioni prej dy makinave industriale për pastrimin e çarçafëve dhe gardërobës së punës, është i mirëseardhur për këtë institucion shëndetësor.