Momente nga koncerti i “ZANAT Vocal Ensemble”, pjesë e programit të Prizren Fest
Një mbrëmje e mbushur me harmoni, interpretim vokal dhe emocion, që solli në skenë bukurinë e muzikës shqipe dhe krijoi një atmosferë të veçantë për publikun. 
Ansambli Vokal “Zánat”
Interpretimi / Performance: Diellza Sylejmani • Elonë Sadiku • Elida Kryeziu • Arstina Kadiu Kelmendi • Albana Piperku Sheapi
Piano / Piano: Pranvera Hoxha
🔹 Përmbajtja
Koncerti ZANAT solli një repertor të përzgjedhur të muzikës shqiptare, me interpretime të reja të veprave të autorëve dhe kompozitorëve më të njohur shqiptarë, të prezantuara në një format artistik bashkëkohor. Programi u interpretua nga Ansambli Vokal “Zánat”, i shoqëruar në piano nga Pranvera Hoxha, duke krijuar një atmosferë intime që vë në pah pasurinë e trashëgimisë muzikore shqiptare.
I themeluar në fund të vitit 2017 nga artiste dhe profesoresha të muzikës, ansambli ka ndërtuar një identitet të veçantë artistik të bazuar në ruajtjen dhe promovimin e muzikës së vjetër qytetare shqiptare, këngëve tradicionale dhe iso-polifonisë shqiptare. Përmes interpretimeve të rafinuara vokale, Zánat sollën në skenë një dialog mes traditës dhe interpretimit bashkëkohor, duke e afruar publikun me një nga thesaret më të çmuara të kulturës muzikore shqiptare.





