Gjilan

Naser Ibrahimi plotëson premtimin, me biçikletë deri në Sarandë


Dikur u quajt superpolici i Kosovës, ngase ai shquhej si njeri i rekordeve, kurse edhe tashti Naser Ibrahimi, polic i Kosovës vazhdon me thyerjen e rekordeve.

Një të tillë ia kishte ndërprerë një aksident, të cilin e kishte pësuar, por Naser Ibrahimi, misionin që e kishte lënë në gjysmë e ka vazhduar tashti.

Polici i Kosovës, Naser Ibrahimi më 2 maj 2018 kishte nisur një rrugëtim nëpër trojet shqiptare, duke iu rënë atyre për së gjati, që nga Ulqini e deri në Sarandë.

Ai nga Gjilani kishte marrë autobusin për në qytetin bregdetar të Ulqinit, prej ku do të niste rrugëtimin e tij. Me vete kishte marrë edhe biçikletën dhe gjithçka që i duhej për të bërë rrugëtimin mbi 400 kilometra të vijës bregdetare shqiptare. Nga Ulqini ishte nisur për në Shkodër, Lezhë, Fushë Krujë e qytete e fshatra  të bukura të Nanës Shqipëri , kurse pak para se të mbërrinte në Durrës, afër gjashtë kilometra larg qytetit bregdetar, atij i pëlcet goma i biçikletës, rrëzohet dhe thyen disa eshtra të fytyrës.

Mbi 164 kilometra rrugë kishte bërë atëherë kur ishte rrëzuar dhe misioni i tij kishte ngelur në gjysmë dhe dukej se më Naser Ibrahimi nuk do të mund të realizonte atë që kishte premtuar.

Atë fillimisht e dërguan në Emergjencën e Spitalit të Durrësit ku mori ndihmën e parë, pastaj u shërua edhe në Prishtinë dhe u rehabilitua.

Më 17 shtator të këtij viti, ai sërish mori biçikletën dhe shkoi mu aty ku ishte rrëzuar, i hipi biçikletës dhe vazhdoi misionin, nga Ulqini në Sarandë.

Durrësi, Fieri, Gjirokastra, Syri i Kaltër mbetën prapa biçikletës së tij dhe në fund u arrit caku, Naser Ibrahimi, superpolici i Kosovës i hipur në biçikletë arriti në Sarandë.

Tashti, kur ai ka plotësuar misionin e tij thotë se “gjatë udhëtimit kam hasur shumë njerëz të mirë, vërtetë me disa ndryshime, por gjithë e flisnin SHQIP. KËNAQËSI…”.

Kjo e arritur e Naser Ibrahimit nuk është e vetmja, rokeri i njohur gjilanas i këngëve të tija si “Besa”, “Do të thej kitarën” e këngëve të tjera, ish- zëdhënësi i policisë rajonale, polici profesionist e i shumë të arriturave të tjera, me biçikletë ka realizuar shumë të arritura, anekënd trojeve shqiptare.

Ai për çdo vit thyen nga një rekord, në pishinën e Uglarit, për datëlindje, po aq herë e noton për së gjati pishinën dhe sivjet atë e notoi 62 herë në gjatësi 50 metra.

You Might Also Like