Në shënim të Ditës së Policëve të rënë në kryerje të detyrës, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan Kolonel Agron Rukiqi së bashku me staf, si dhe në shoqërim të Kryetarit të Komunës së Kamenicës z. Kadri Rahimaj, kanë realizuar vizita tek familjet e policëve të rënë në kryerje të detyrës.
Gjatë këtyre vizitave është shprehur respekti i thellë, nderimi dhe mirënjohja për sakrificën e të gjithë policëve – Heronjve të Kosovës të cilët dhanë jetën në kryerje të detyrës, në shërbim të ligjit, rendit, qetësisë dhe sigurisë së qytetarëve.
Në kuadër të këtyre vizitave është nderuar edhe kujtimi për policin Lazim Rexhepi, polici i parë i Policisë së Kosovës i rënë në kryerje të detyrës si dhe është vizituar familja e policit Jahi Maliqi në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për sakrificën e tij. Kujtimi dhe vepra e tyre së bashku me të gjithë policët e rënë në kryerje të detyrës, mbeten pjesë e historisë së lavdishme të Policisë së Kosovës dhe e kujtesës sonë të përbashkët.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të ruajë me nderim të përhershëm kujtimin për të gjithë policët – Heronjve të Kosovës të rënë në kryerje të detyrës dhe të qëndrojë pranë familjeve të tyre, duke vlerësuar lart sakrificën e tyre të çmuar në shërbim të vendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.




