Libri

PËRTEJ THURIMËS SË NJË DRITAREJE

Rudina Muharremi Beja

PËRTEJ THURIMËS SË NJË DRITAREJE

( cikël poetik )

1- Hije

Uturijnë mendimet bëhen lëmsh
brenda botës gjithnjë e më të murrme,
monologëve të pafund
e stepjes në të të dëshirave,
psherëtimave të nënzëshme
përtej thurrimës së një dritareje,
ku ecejaket e hijeve
bujtin botën e të gjallëve…

2- Përulje

Shurdhuese kjo heshtje,
aq sa hapat ia ndjej milingonave në ikje,
zhurmën, myshkut e likeneve,
trishtimin pikës së shiut,
flladin që përkëdhel një narciz të brishtë,
e përuljen e Zotit,
që më ulet në shpirt.

3- Ecejakeve të stinëve

Cepi i angësht i një avllie
vesh muret kaherë me psherëtimat e një nënë,
përkundur shurdhërisë së kësaj bote
frikës së çmendur të kohërave
teksa flokët shpleks,
mbuluar me cohën e hollë të një bryme…

Sytë e saj gjysëm të mbyllur,
shkëlqimin margaritar kanë ruajtur
udhën e mirësisë,
për të ndriçuar errësirën përqark
kujtesat e përgjumura
botën që vëren përmes një thurime
pranverën që çel si një dhimbje
dhe largësitë imagjinare të bijve…

Muzgjet vizatohen napave të xhamave
ecejakeve të stinëve …

4- Grua!

Grua,
Merr me vete pak prej të shkuarës
aq sa shpirti yt i lirë të fluturojë
të kapërcejë pragun e dëshirave të heshtura,
valsit të erërave kudo nëpër qiell,
pa shqetësimin drithërues të së sotmes
pa ankthin e të nesërmes
veç rend ashtu si madhështi
sinfonisë së pranverave të tua,
të përjetshmes,
që jetën para teje përkul!

5- Fotografi

Sonte rrëmova të tëra albumet
po po,
përmes fotosh udhëtova në të shkuarën
e kujtimet, krejt qenien më pushtuan
Habi,
humba dhe u harrova mes tyre
në kërkim të një fotografie të pashkrepur kurrë !

6- Hapat e mi

Përditë,
lë gjurmët e mia përmbi rërë
vizatuar
me krejt dashurinë e hapave
thelluar peshës së fjalëve
epigrameve
njelmur puhizës së valëve.
Ndërsa e nesërmja
oh e nesërmja
vërshimit të një batice
pa mëshirë do t’i fshijë
e më s’do të jenë;
as ujë
as rërë,
vetëm kohë,
kohë që kalon padukshëm
detit të jetës që magjeps
që tremb
prek e gllabëron përnatë
hapat e mi…!

7- Fijeve të zemrës

Rrufetë e shpirtit ndjej të bubullijnë
simfoninë hyjnore akullirës së heshtjes
dorën e paqmë që përmbys mëritë
e flak gurët e rëndë të urrejtjes…

Shtjella apokakalipsesh ndjej të mbijnë
e unë kapem fort pas fijeve të zemrës
sërish të vallëzoj mbi greminë
etjen të shuaj ujërave të dhembjes.

Të gjithë piedestalët kur të bien
gjakun kur të ndjej të helmohet
do të pi sërish nga loti yt
e qeshura të gjëmojë, të zbukurohet.

8- Shpirt i qëndisur

Largohet ngathët ky dimër i gjatë
vagonëve që ditët tërheqin zvarrë
udhëtuar përmes fjalëve të heshtura
përmes pemëve të zhveshura
thellësive të hidhura
mbuluar borës së bardhë…

Vrapoj dhe unë nëpër mjergull
kalëruar erërave përtej horizontesh
pa u penguar ligjeve të kohës
kokën pa kthyer pas,
botën ta bëj më të ëmbël,
portat për t’i hapur sërish Pranverës.

Tymtarët shkruajnë qiellit hieroglife
retë tashmë janë më të përhimta
kambanat shpërthejnë nga tërbimi
qytetit faltoresh boshatisur,
teksa tej
mbi shpalosjen flladitëse të palëve të erës
ëmbël fluturojnë dallëndyshe
e ca flutura enden shpirtit të qëndisur.

______________________

Shënime për autoren

Rudina Muharremi – Beja ka lindur në Ishëm, Durrës. Pas përfundimi të studimeve punoi si mësuese, ndërsa më pas do vendosej familjarisht në Itali
Pasioni për letërsinë ka qenë i hershëm, pasion i cili do kurorëzohej me botimin e 7 librave.
Rudina tashmë përgatitet për librin e radhës, që e sjell më të konsoliduar, përcakton pjekurinë estetike dhe stilistikën e saj, e ashtu përmes vargut të lirë apo prozës së shkurtër depërton përtej fasadave ngjyrime si reflektim por dhe përshfaqje e një kreativiteti që e ngjit në nivele më të larta artistike.

You Might Also Like