Spitali i Përgjithshëm Gjilan po kalon nëpër një transformim modern, duke investuar në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore, ku synojmë të përmbushim çdo kriter që plotëson standardet evropiane të kujdesit shëndetësor.
Drejtori i Spitalit, Dr. Afrim Cana, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, Kryetarin e Komunës, z.Alban Hyseni, dhe Drejtorin e SHSKUK-së, z.Elvir Azizi përuruan Shërbimin e Hemodializës.
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, theksoi se angazhimi ynë do të vazhdojë në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor.
Përmes këtyre investimeve synojmë të rrisim cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e kujdesit shëndetësor, duke siguruar që pacientët tanë të marrin shërbime sa më cilësore, më të qasshme dhe në përputhje me standardet bashkëkohore të trajtimit.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm Gjilan, Dr. Afrim Cana, theksoi se ndihet i lumtur për projektet e realizuara sipas planit të punës. Ky projekt, si Hemodializa, është njëri nga projektet tona tashmë i realizuar sipas standardeve evropiane, përmes angazhimit të përbashkët me SHSKUK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
Menaxhmenti i ka kushtuar rëndësi të veçantë këtij shërbimi specifik, duke investuar në përmirësimin e infrastrukturës, pajisjeve mjekësore dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit. Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet që pacientët të marrin këtë shërbim në kushte sa më të mira të mundshme, në një mjedis modern dhe funksional, me siguri maksimale dhe kujdes të vazhdueshëm shëndetësor.
Kryetari i Komunës, z. Alban Hyseni, mirëpret investimet në shëndetësinë e Gjilanit, duke i vlerësuar ato si një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe mirëqenies së qytetarëve. Ai theksoi se çdo investim në sektorin e shëndetësisë është investim në jetën dhe të ardhmen e qytetarëve, duke shprehur gatishmërinë e komunës për të mbështetur iniciativa që avancojnë infrastrukturën dhe shërbimet mjekësore në rajon.
Drejtori i SHSKUK-së, z. Elvir Azizi, theksoi se vazhdon mbështetja për të gjitha spitalet e përgjithshme dhe institucionet shëndetësore, në përputhje me nevojat dhe kërkesat e tyre për investime në infrastrukturë, pajisje mjekësore dhe avancim të kapaciteteve profesionale. Këto investime kanë për qëllim modernizimin e shërbimeve shëndetësore, përmirësimin e kushteve të punës për stafin dhe rritjen e cilësisë së kujdesit ndaj pacientëve.
Drejtori Klinik, Dr. Nezit Demolli, theksoi se investimet e realizuara dhe ato që pritet të implementohen në periudhën e ardhshme do të ndikojnë drejtpërdrejt në avancimin e shërbimeve shëndetësore, përmirësimin e kushteve të punës për stafin mjekësor dhe rritjen e cilësisë së kujdesit ndaj pacientëve.
Udhëheqësi i Shërbimit të Hemodializës, Dr. Afrim Bekteshi, theksoi se gjatë vitit 2025 në këtë shërbim janë realizuar gjithsej 6,184 trajtime të dializës, me një mesatare prej 515 pacientësh në muaj dhe rreth 25 pacientë në ditë. Ai bëri të ditur se gjatë muajve të verës numri i pacientëve rritet për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve.
Gjithashtu, ai nënvizoi se Shërbimi i Hemodializës deri më tani ka operuar me 18 shtretër, duke përballuar një fluks të konsiderueshëm pacientësh dhe duke dëshmuar nevojën për zgjerimin dhe modernizimin e kapaciteteve të dializës.



