ARSIMI

Pranim-dorëzimi i detyrës së rektorit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, është mbajtur ceremonia formale e  kalimit të përgjegjësisë së rektorit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, nga Prof. Dr. Bajram Kosumi, te Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku.

Me rastin e pranim dorëzimit të detyrës, Rektori i deritashëm Prof. Dr. Bajram Kosumi  përgëzoi rektorin e zgjedhur Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në këtë pozitë.

Prof. Dr. Bajram Kosumi ka përmendur  4 shtylla të zhvillimit të Universitetit: Zhvillimin e stafit Akademik e Administrativ, zhvillimin e programeve studimore, projekteve ndërkombëtare si dhe autonominë e universitetit, të cilat sipas tij janë mjaft të rëndësishme që universiteti të ec përpara. Ai ka thënë se është i bindur se nën udhëheqjen e Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Universiteti Publik “Kadri Zeka” do të vazhdojë të sjellë progres në vazhdimësi.

Rektori i ri Prof. Asoc. Dr. Artan Dëramku në fjalën e tij e ka falënderuar për kontributin e dhënë në Universitet dhe për sukseset e arritura në vazhdën e shumë proceseve dhe aktiviteteve, Rektorin e deritashëm Prof. Dr, Bajram Kosumi. Rektori Dërmaku ka përmendur parimet kyçe që do ti ndjek gjatë punës së tij: Inovacionin dhe përshtatshmërinë, profilizimin, angazhimin global, angazhimin në komunitet, arsimin në qendër studentin, si dhe ekselencën e kërkimit. Ai  tha se  do të përkushtohet që të vazhdoi rrugën e drejt në të cilën kemi qenë deri më tani, dhe se do të angazhohet maksimalisht që së bashku me stafin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe me Institucionet lokale dhe qendrore do të punojë në mënyrë që proceset e Universitetit ti dërgojë përpara.

Kryetari i Komunës së Kamenicës Kadri  Rrahimaj në fjalën e tij e ka uruar rektorin Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku për zgjedhjen Rektor i UKZ-së. Ai ka thënë se progresi i universitetit shihet ne gjeneratat e sotme, andaj sipas kryetarit Rrahimaj duhet që të ecim drejt zhvillimeve të reja.

Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit Leonora Bunjaku Morina në fjalën  e saj në emër të kryetarit të Komunës Alban Hyseni, ka uruar Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku për marrjen e përgjegjësive të reja Rektori i UKZ-së derisa ka falënderuar Rektorin e deritashëm Prof. Dr. Bajram Kosumi për të arriturat e deritashme. Ajo ka thënë se duhet që të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë që përpos arritjeve akademike të kontribuojmë edhe për  komunitetin.

Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, u zgjodh në këtë pozitë, më 06.07.2023, nga anëtarët e Këshillit  Drejtues të Universitetit Publik “Kadri Zeka ”  në Gjilan, për mandatin katër vjeçar.

Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, deri tani ishte Dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka”.

You Might Also Like