OPINION

Rregullimi i shtretërve të lumenjëve duhet të jetë prioritet i Qeverisë së re

Java e fundit me reshjet që solli, ishte njëra ndër javët me ditët më të veshtira për shumë familje, ngase me veti solli edhe vërshimin që nuk mbahej mend edhe nga shumë të moshuar që jetonin në vise të ndryshme të kosovës.

Njëra nga qytetet që e përjetoi këtë sfidë nga reshjet e shumta ishte edhe Komuna e Gjilanit, e cila pësoi relativisht shumë nga dëmet që solli ky rrebesh shiu.

Nuk duhet neglizhuar mundësinë e përsëritjes edhe në të ardhmen me vërshime të tilla. Ato sjellin dëme të vazhdueshme nëse nuk intervenohet në infrastrukturën e ujërave të zeza, infrastrukturën e urave dhe kanalizimit të ndërtimeve, dhe në shtretërit e lumenjëve.

Programet e intervenimit në raste emergjencash duhet të jenë më të qarta dhe më të organizuara në raport më qytetarët dhe institucionin e intervenimeve në raste të tilla.

Ndërtimet e larta por edhe ato të ulëta, duhet që t’i kushtojnë rëndësi më të madhe edhe rregullave dhe standardeve që përdorën gjatë zbatimit të ndërtimit të konstrukteve të tyre në rrjedhën dhe orientimit të ujërave të zeza dhe ujësjellësit, si dhe mosmbllokimit të pjesëve që ishin dhe janë pjesë të lumenjëve duke mos i’u ndryshuar drejtimi.

Situata të cilën kaloi vendi me vërshimet u ndihmua edhe nga faktori njeri me ndërtimet gjatë dy decenieve të fundit.

Komunat duhet ta kenë prioritet në programet e tyre edhe pjesën e infrastrukturës ujore, si rezultat i ngjarjeve të fundit, duke e kufizuar mundësinë e përsëritjes në masë të njejtë, me qasje dhe koncepte ideore nga ekspertët e fushës.

Është një momentum i ri, dhe një nevojë imediate që të krijohen grupe punuese dhe të hapen mundësitë për strategji dhe projekte që do t’a rregullonin këtë problem për një periudhë më afatgjate.

Kritikat tani nuk bëjnë punë, duhet bashkëpunim dhe ofrim të ndihmës nga të gjithë, ndërsa keqpërdorimet e mundshme dhe atyre që nuk kanë përfillur regullat duhet lënë hetuesisë dhe gjyqësisë.

Prandaj Qeveria e re e zgjedhur nga zgjedhjet që po vijnë duhet t´a vendosë në prioritetet e veta edhe intervenimin imediat të rregullimit të shtretërve të lumenjëve dhe të ulë në maksimum dëmet që mund të vijnë në të ardhmen nga vërshimet dhe daljen e lumenjëve nga shtretërit si pasojë e mbushjes së tyre më mbeturina dhe devijimet që janë bërë vit pas viti nga qytetarët për arsye nga më të ndryshmet.

Autor: Msc.Skender Berisha

You Might Also Like