Ashtu siç pritej, skuadra e Trepçës me lehtësi e ka mposhtur sonte Dritën në “Minatori” të Mitrovicës.
“Xehetarët” dominuan në çdo aspekt që nga fillimi e deri në fund, e ndeshja në fund u mbyll me rezultat 118-69. Kjo është shifra më e lartë e pikëve të shënuara nga Trepça në këtë sezon të Superligës deri më tash dhe vetëm e dyta herë që kjo skuadër ka shënuar më shumë se 100 pikë.
Çereku i parë përfundoi 32-17, i dyti 28-16, e më pas dy të fundit 30-14 e 28-22, numra që tregojnë dominimin e Trepçës në këtë përballje.
Duke qenë totalisht në kontrollë të ndeshjes, Trepça e shfrytëzoi rastin dhe iu dha minuta të gjithë lojtarëve të ftuar, e në përgjithësi më i dalluari ishte Drilon Hajrizi me 20 pikë, 6 kërcime e 3 asistime. Ndër shumë lojtarë të tjerë, pikë dyshifrore te Trepça sonte pati edhe Taurus Cockfield Jr, 15 pikë, duke bërë që dyshja e lartpërmendur e Trepçës të jenë lojtarët e vetëm të skuadrës që këtë sezon kanë shënuar pikë dyshifrore në të gjitha ndeshjet e luajtura.
Te Drita, gjithashtu pati minuta për të gjithë lojtarët, e prej tyre më së shumti u veçuan Qëndrim Demi me 16 pikë, 4 asistime e 1 kërcim dhe Isiah Johnson me 15 pikë, 7 kërcime e 2 asistime.
Në 10 ndeshjet e para të këtij sezoni, Trepça ka 8 fitore e 2 humbje dhe i prin Superligës momentalisht, kurse Drita mbetet ende pa fitore, 10 humbje në po aq ndeshje.