OPINION

Dëbëlldehi dhe Karadaku – një gisht në historinë e Kosovës 

Selajdin Abdullahu – Gjilan

Maj 2026

Ditëve të vikendit, për të thyer monotoninë e qytetit, shpesh marr rrugën për në bjeshkët e Karadakut. Rruga që kthen për Zhegër, posa e kalon Livoqin e Ulët, të bie në sy tabela e heroit ”Rruga Agim Ramadani”. Agimin e kam njohur personalisht; ishim bashkëmoshatarë në shkollën e mesme. Çdo herë  që lexoj emrin e tij ndjej krenari dhe një kujtesë të gjallë për ato kohë.

Duke shkuar grykës së Karadakut,sot janë hapur shumë lokale, kafiteri e restaurante. Ndalem shpesh te  restoranti “Dunavi” dhe te “Majae Zezë”, ky i fundit vetëm disa qindra metra larg kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kufiri këtu nuk është thjesht, vijë administrative – është histori e ndërtuar mbi rrëfime, përvoja dhe dhimbje.

Në fshatin Shurdhan, mes tabelave të shumta, të bie në sy një rrugë te Mulliri i Alisë, e cila mban emrin Rr.” Muharrem Demiraj”. Nuk të çon askund tjetër përveçse te shtëpia e familjes së tij, aty ku nis një nga rrëfimet më të dhimbshme të Karadakut, dhe ku historia reale lidhet me njerëz konkretë.

​Emërtimi i rrugës nga komisioni komuna i  Gjilanit “Muharrem Demiraj”i cili ishte manipuluar nga komisioni serb për përcaktimin e vijes kufitare në Malet e Karadakut në vitin 1998.Duke e futur si  përfaqësues të Kardakut në komisionin shtetëror serb.

​Muharremi i Hazirit dhe rrëfimet e tij Muharremi Demiri, ishte i njohur në Shurdhan dhe në fshatrat përreth: Stançiq, Zllakuqan, Dëbëllde, Letnicë, e deri në Viti. Ishte fshatar me plis, i hapur për biseda dhe rrëfime. Kishte memorie të jashtëzakonshme dhe njihte njerëzit, vendet dhe historinë e gjithë Karadakut.

Në fund të viteve ’70, historianë dhe albanologë nga Prishtina qëndronin te shtëpia e fisnikut, Milazim   Shefkiut, duke thirrur fshatarë për të rrëfyer ngjarje historike. Muharremi ishte gjithmonë një nga ata që rrëfente. Rrëfimet e tij ruhen edhe sot në arkivat përkatëse.

Shkrimtari Sabit Rrustemi e ka përshkruar këtë   realitet në tregimin “Nën maskën e musafirëve”, me metaforat e “Syprishëve” dhe “Sybutëve”, njerëz që vizitonin fshatrat e Karadakut dhe i njihnin, por me qëllime të fshehta.

Viti 1998 – punët e demarkimit

Në vitin 1998, te shtëpia e Muharremit kishte ardhur një major i ushtrisë jugosllave, i shoqëruar nga       gjeodetë, gjeografë dhe topografë – pjesë e një komisioni shtetëror serb për përcaktimin e vijës kufitare me Maqedoninë e atëhershme.

Në një moment, majori i kishte thënë Muharremit se ishte i ditur dhe se duhej t’u tregonte kufijtë e asaj që ata e quanin “Serbia e Vjetër”. Muharremi u ndje i rëndësishëm. U krekos. Nuk e kuptoi se po përdorej.

Ishin nisur nga Uji i Kuq, kishin vazhduar nëpër Zllakuqan, Stançiq, rrëzë maleve të Kopilaqes, Vërnez,      Letnicë, dhe deri në Dëbëllde. Tri ditë rresht, ishin bërë matje, shënime dhe vizatime në harta.

Pas përfundimit të punës në terren, kishin zbritur në një restorant në Viti, ku mbi tavolina ishin vendosur të gjitha hartat, skicat dhe dokumentet zyrtare. Dokumentet përfundimtare ishin para Muharremit, i cili kishte vendosur gishtin në dokument ashtu si i kishte kërkuar komisioni serb, në emër të banorëve të    asaj ane. Vetëm pasi ata e përfunduan misionin e tyre, ai u shpërblye me 500 marka gjermane.

Pas këtij momenti, Muharremi ndjehej se ishte bërë i rëndësishëm. Shumë herë e tregonte me krenari veprimin e tij, pa e kuptuar se pjesa e tij ishte vetëm një gisht në një dokument që tashmë kishte vendosur kufijtë, pa pyetur askënd nga Kosova, e cila atëkohë ishte nën pushtimin serb. Dokumenti më vonë u nënshkrua nga presidentët e Serbisë dhe Maqedonisë, u ratifikua në parlamentet përkatëse dhe në vitin 2001 u dërgua në OKB për miratim..

Prilli 1999 – tragjedia e Demirëve

Në vitin 1999, pas dështimit të Rambujesë dhe fillimit të bombardimeve të NATO-s, ushtria jugosllave u fsheh nëpër shtëpi të boshatisura të shqiptarëve. Nga posta kufitare në Stançiq u dha urdhër që banorët e fshatrave kufitare – mbi dhjetë fshatra – të largoheshin brenda 24 orëve.

Në lagjen e Demirëve mbetën Muharremi, vëllai i tij Jetishi, dhe Musa Veseli me gruan e tij Rexhien, të larguar nga Stançiqi për shkak të pasigurisë. Një ditë prilli, ushtarët serbë panë tymin e oxhakut. U ngjitën drejt shtëpisë. I gjetën brenda. I rrahën, i vranë dhe kufomat i dogjën. Shtëpinë e shkrumbuan. Rexhien e kishin marrë të gjallë dhe e   mbajtën të burgosur deri pas Marrëveshjes së Kumanovës.

​Emri dhe mbiemri i fshatarit, Muharrem Demiri , që kishte marrë pjesë në komisionin serb për përcaktimin e vijes kufitare të maleve të Karadakut dhe arave të Dëbëlldehit.

Historia e tokave dhe traktatet ndërkombëtare

Historia e Dëbëlldehit dhe Karadakut nuk është thjesht lokale. Tokat shqiptare janë coptuar që nga Traktati i Shën Stefanit (1878), i pasuar nga Kongresi i Berlinit (1878), më pas nga Versaji (Konferenca e Paqes 1919) dhe Parisi 1920, ku Presidenti amerikan Woodrow Wilson u përpoq të mbrojë çështjen shqiptare dhe të shmangte copëtimin e  asaj Shqipërie të gjymtuar.

Në të gjitha këto raste, shqiptarët e Kosovës dhe të Karadakut nuk ishin pyetur. Nuk u morën parasysh dëshirat e banorëve. Dokumenti i demarkimit të vitit 1998–2001 nuk është “falje tokash” – është një vijë e vendosur nga komisione shtetërore të Serbisë dhe Maqedonisë, pa pjesëmarrjen e shqiptarëve. Çdo akuzë për “falje të tokave të Dëbëlldehit” është e pavërtetë dhe banale.

Karadaku nuk ka nevojë për zbukurime. Ka mullinj, rrugë, fshatra dhe lëndina ku lotët ranë në heshtje. Ky është rrëfimi i Dëbëlldehit: një histori reale me njerëz konkretë, dokumente të vërteta dhe një tragjedi të thellë. Historia nuk mund të falsifikohet me akuza të politikës ditore.

You Might Also Like