KULTURA

“VARG E VI” TË SHTUNËN HAP PROJEKTIN E MADH “ME ‘G’, A ME ‘GJ’?”

“Varg e Vi”, këtë të shtune, më 25 gusht 2018, ora 20.00-23.00, në Shtëpinë e Rinisë (prapa Sahat Kullës), do të hap projektin e madh “Me ‘G’, a me ‘Gj’?”, duke e realizuar aktivitetin e parë – një koncert si dedikim dhe përkujtim për këngëtarin e ndjerë, Agron Berishën, i cili lidhet mjaft shumë me të kaluarën e qytetit të Gjilanit.

Artistët që do të performojnë: Valdrin Halimi – muzicient/koordinator i pjesës muzikore Diana Toska – vokal Njomëza Hyseni – vokal Xhaner Gashi – vokal/kitarë Premtim Selimi – klaviaturë Gramos Kërqeli – perkusione Luftim Dalipi – vokal, kitarë Dizajni: Florent Buca Teksti i konceptit: Avni Rudaku Ndihmuan: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Gjilanit – Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport Foto e ngjarjes: E huazuar nga materialet për historinë e Gjilanit Shtypi: Pika 5A

Qendra për Art Bashkëkohor “Varg e Vi” përmes projektit “Me ‘G’, a me ‘Gj’?”, synon kthimin e vëmendjes kah trashëgimia kulturore, historike dhe urbane e qytetit të Gjilanit. Kujtimet tona na çuan në aktivitetin e parë me këngë të interpretuara nga grupet lokale muzikore, e pastaj kënga pas një kohe tjetër, do të na çojë edhe në aktivitete dhe shenja të tjera të kujtesës së re urbane: tek Ëmbëltorja, te Faraxhia, te Përmendorja, te Soliteri, tek Ura e Maskatarit… Qyteti ka kujtime, ashtu si njerëzit. Kujtimet e para dhe më të lehta, riprodhohen nga muzika. Një këngëtar me origjinë nga Gjilani, Agron Berisha, u lind në Shkup, u kthye herë pas herë në Gjilan – në vendlindjen e familjarëve të tij, si dhe u bë pjesë e kujtesës kolektive të këtij qyteti, duke kënduar rok e balada dashurie në “Ish-Shtëpinë e Armatës”, “Palestrën e Sporteve”…

Qyteti krijon kujtime. Ato kodohen, depozitohen dhe riprodhohen nga njerëzit dhe duke i parë monumentet. Njerëzit që lënë gjurmë në një qytet, numërohen në gishta. Kujtesa nuk ngjizet vetëm me njerëzit e lindur në një qytet, por edhe me ata dhe ato që ecën nëpër të, kënduan në të dhe lindën rrëfime urbane, duke u kujtuar ende edhe sot nga shokët e tij të dikurshëm. Qyteti krijon figura, profile, portrete, zëra, fytyra dhe kujtime. Njëri nga këto profile është edhe Agroni. Duke e kujtuar atë, i kujtojmë sidomos vitet e ’70-ta dhe ’80-ta (shek. XX) të Gjilanit. Prandaj, mirësevini të shtunën në kujtesën e qytetit të Gjilanit!

You Might Also Like