Në bazë të votave të numëruara deri më tashti, qyteti i Gjilanit në Kuvendin e Kosovës do të përfaqësohet me gjashtë deputetë, katër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me nga një nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe një nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kështu, nga LVV-ja deputetë do të jenë Arbëresha Kryeziu – Hyseni, Adriana Matoshi, Liza Gashi dhe Labinotë Demi – Murtezi, të cilat ishin deputete edhe në mandatin e kaluar.
Në mandatin e kaluar deputet ishte edhe Lutfi Haziri, i LDK-së, i cili edhe në këto zgjedhje ia doli të futet në dhjetëshen e më të mirëve, duke siguruar edhe një mandat në Kuvendin e Kosovës.
Profesori universitar, Arben Mustafa është, kandidati i tetë më i votuar në listën e PDK-së dhe ka siguruar që edhe në këtë legjislaturë të re të jetë në Kuvendin e Kosovës.
Në Kuvendin e ri të Kosovës ulëse do të zënë edhe kandidatët nga AAK-ja, por asnjë kandidat nga Gjilani nuk e ka arritur kuotën e votave për t’u bërë pjesë e Kuvendit.
Ka mundësi, që edhe ndokush tjetër të zë ulëse në Kuvendin e Kosovës, por kjo varet nga formimi i Qeverisë, ngase pasi që dikush të zë vend në qeveri, duhet të largohet nga posti i deputetit, që është një mundësi për kandidatët e radhës në lista. /kryelajmi.com/.





