Shkruan: Afrim Salihu
Unë kam një kërkesë, por edhe një kritikë të fortë: pse nuk përfundohen projektet që kanë mbetur me vite në pritje dhe që janë jetike për qytetarët, siç është autostrada Gjilan–Banullë–Prishtinë?
Minsitri i Infrastruktures – Sapo e mori detyrën, filloi me këmbëngulje përfundimin dhe zgjerimin e rrugës Prishtinë–Ferizaj. Natyrisht, nuk kam asgjë kundër investimeve në Ferizaj dhe çdo investim në infrastrukturë është i mirëseardhur. Por duhet ta kemi parasysh një fakt: Ferizaj tashmë ka lidhje direkte me autostradën, ndërsa tani po investohet edhe në rrugën rajonale Prishtinë–Ferizaj, duke e zgjeruar atë në dy korsi dhe duke e pajisur me asfalt të ri.
Atëherë lind pyetja krejtësisht legjitime: a nuk do të ishte më e drejtë dhe më prioritare që fillimisht të përfundohej rruga Gjilan–Prishtinë?
Gjilani dhe Anamorava prej vitesh presin përfundimin e kësaj rruge. Në rrugën ekzistuese Gjilan–Prishtinë pothuajse çdo ditë kemi aksidente, kolona dhe rrezik serioz për jetën e qytetarëve.
Për më tepër, Gjilani ka qenë ndër rajonet që i ka dhënë mbështetje jashtëzakonisht të madhe Vetëvendosjes, me rreth 60% të votave. Nuk po them që investimet duhet të bëhen si shpërblim për votën, por është krejt e natyrshme që qytetarët të presin trajtim të barabartë, vëmendje dhe investime në një rajon që për vite të tëra është lënë pas dore.
Fatkeqësisht, përshtypja që po krijohet sot është e kundërta: aty ku nevoja është më e madhe dhe projekti ka vite që ka filluar, puna mbetet në pritje, ndërsa në një rajon që tashmë ka autostradë po bëhet edhe një lidhje tjetër moderne me Prishtinën.
Prandaj kërkesa është shumë e thjeshtë: përfundoni atë që është nisur. Gjilani dhe Anamorava nuk duhet të trajtohen si rajon i dorës së dytë.




