Në Stubëll të Epërme u mbajt edicioni i 37-të i manifestimit tradicional kulturor, letrar dhe shkencor “Takimet e Dom Mikelit”, i cili këtë vit iu kushtua 180-vjetorit të internimit të shqiptarëve të Malësisë së Shkupit në Turqi, më 1846.
Komuna e Vitisë, si bashkëorganizatore dhe mbështetëse e manifestimit edhe në aspektin financiar, vazhdoi përkrahjen e saj për këtë ngjarje me rëndësi të veçantë historike, kulturore dhe arsimore.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi rolin e “Takimeve të Dom Mikelit” në ruajtjen e kujtesës historike dhe trashëgimisë kombëtare, duke theksuar edhe rëndësinë e Stubllës në historinë e arsimit shqip. Ai ritheksoi se Komuna do të vazhdojë ta mbështesë këtë manifestim dhe promovimin e vlerave kulturore e kombëtare.
Manifestimi, i zhvilluar pranë Muzeut të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, mblodhi përfaqësues institucionalë, klerikë, akademikë, studiues, krijues dhe mysafirë të shumtë.




