Muzikë

Një hapje madhështore e sezonit nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentes Marion Wood

Një hapje madhështore e sezonit nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentes Marion Wood.

Koncerti u hap me veprën “Move Him into the Sun”, të kompozuar nga vetë dirigjentja Wood. Vepra, e shkruar fillimisht në vitin 2007 e porositur për një shërbesë kushtuar Ditës së Armëpushimit në Kapelën e Universitetit të Exeter-it, u zgjerua gjatë viteve në vijim si pasojë e ndryshimeve të peizazhit politik botëror. Njëqind vjet pas Luftës së Parë Botërore, kompozitorja iu rikthye veprës dhe kërkoi tekste të tjera për ta zgjeruar atë. Në formën e saj të plotë, vepra u interpretua për herë të parë në vitin 2018.

Pjesa e dytë e koncertit iu kushtua kantatës “Flijimi” – Sakrifica e Ifigjenisë nga kompozitori Rafet Rudi bazuar në veprën “Ifigjenia në Aulidë” të Euripidit, me pjesëmarrjen e veçantë të mjeshtrit të madh Vendim Kapaj.

E kompozuar në vitin 1983, fillimisht si muzikë skenike për tragjedinë e Euripidit “Flijimi në Aulidë”, kjo vepër u formësua më vonë si vepër vokalo-instrumentale dhe u interpretua në shumë festivale të rëndësishme të muzikës moderne të kohës.

Publiku i pranishëm në Kishën Katolike ‘Shën Ndou’ ishte dëshmitar i një prezantimi dinjitoz të Korit të Filharmonisë së Kosovës, i cili vazhdon të dëshmojë nivelin e lartë artistik të një prej ansambleve korale më të dalluara në rajon dhe më gjerë.

Koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 10 tetor 2026, në ora 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë, nën drejtimin e mjeshtrit polak Wojciech Czepiel.

Fotografitë: Arben Llapashtica

You Might Also Like