Shkruan: Mr. Urbanist, Msc. Arkeologji – Arton H.Hoxha
Një jetë e humbur nuk kthehet më. Asnjë dokument, asnjë leje dhe asnjë pendim nuk mund ta kthejnë atë. Ka pyetje që nuk duhet t’i bëjmë vetëm pasi ndodh një tragjedi. Duhet t’i bëjmë më herët, kur ende mund të shpëtohet një jetë, kur ende mund të parandalohet një dhimbje që një familje do ta bartë përgjithmonë.
Sa seriozisht kontrollohet personi që kërkon të pajiset me armë?
A mjaftojnë disa dokumente për t’ia dhënë dikujt të drejtën të mbajë në duar diçka që mund t’ia marrë jetën tjetrit. Dhe kush kujdeset që kjo përgjegjësi të vazhdojë edhe pasi leja është lëshuar? Arma nuk është një send i zakonshëm.
Në duar të gabuara, ajo mund ta kthejë një çast zemërimi në një tragjedi të pakthyeshme. Pas saj nuk mbetet vetëm një jetë e humbur, por edhe një familje e shkatërruar, prindër që nuk gjejnë më qetësi dhe familje që do ta presin më kot kthimin e më të dashurit që nuk do të vijë më.
Prandaj, nuk duhet të presim të ndodhë tragjedia për të pyetur nëse janë bërë të gjitha kontrollet e nevojshme.
Nuk duhet të presim të derdhet gjaku për të kuptuar se parandalimi është përgjegjësi, jo zgjedhje. Institucionet duhet të sigurohen që çdo leje për armë të mbështetet në verifikime të mirëfillta, që kushtet për posedimin e saj të kontrollohen me seriozitet dhe që përgjegjësia të mos përfundojë ditën kur lëshohet dokumenti.
Në fund, pyetja nuk është vetëm se kush ka të drejtë të mbajë armë, por edhe sa bëjmë ne si shoqëri dhe si institucione për të mbrojtur jetën e njëri-tjetrit.
Sepse një leje mund të lëshohet me dokumente, por pas një jete të humbur mbetet një familje një nënë që pret fëmijun një baba që nuk pajtohet me humbjen e një motër apo vëlla që do ta ndiejë përgjithmonë mungesën që asnjë dokument, asnjë vendim dhe asnjë pendim nuk mund ta mbushë.
Për këtë arsye, kontrolli nuk duhet të vijë pas tragjedisë. Duhet të vijë përpara saj, kur ende mund të shpëtohet një jetë.





