Sonte, më 14 tetor 2026, u hap ekspozita personale “Shtegtime të Bardha” e skulptorit profesor Sabri Shaqiri, e cila u organizua në Galerinë ODA në Shkodër, nën kurimin e Genc Rezniqit.
Fjalën hapëse e bëri profesor Rubin Mandia nga Universiteti i Shkodrës i cili me këtë rast vlerësoi lartë cilësinë e ekspozitës dhe punën e skulptorit Shaqiri.
Ekspozita sjell një cikël skulpturash që karakterizohen nga forma organike, trajtimi minimalist dhe ndjeshmëria e veçantë ndaj materialit. Përmes gurit të bardhë, artisti ndërton një gjuhë të përmbajtur pamore, ku forma, vëllimi, sipërfaqja dhe ndërhyrjet grafike krijojnë marrëdhënie të ndërsjella, duke hapur hapësira për interpretime dhe përjetime individuale.
Veprat e ekspozuara dëshmojnë një kërkim artistik të përqendruar në thjeshtësimin e formës dhe në raportin ndërmjet materialitetit dhe shprehjes konceptuale. Bardhësia e skulpturave, në kontrast me hapësirën ekspozuese, krijon një atmosferë të veçantë estetike dhe reflektuese.
Mbrëmja në këtë galeri ishte gjithashtu një mundësi e mirë për takime dhe bashkëbisedime me artistë, krijues dhe dashamirës të artit, në një atmosferë të ngrohtë kulturore në qytetin e Shkodrës.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 9 nëntor 2026.





