Analizë letrare
Fehmi QERIMI
GËRMIMI I TË PATHËNAVE MES RRESHTAVE
(„Për barin e ri të çdo pranvere”, poezi nga Sabit Rrustemi, publikuar para pak ditësh në ‘murin’ e tij në Fb…).
Poezia „Për barin e ri të çdo pranvere” trajton temën jo të panjohur të pritjes, zhgënjimit, mungesës dhe refuzimit, duke e vendosur përvojën njerëzore në një raport simbolik me natyrën dhe ciklin e stinëve.
Në thelb, kemi të bëjmë me një poezi për njerëzit që presim në jetën tonë, për ata që ftojmë me dëshirë të jenë pranë nesh, por që nuk vijnë apo mungojnë, si dhe për ata që, ndonëse nuk i presim, na shfaqen papritur.
Përmes një metafore të thelluar, poeti e shndërron një ftesë të zakonshme në një akt simbolik të hapjes shpirtërore, të afrimit dhe të kërkimit të lidhjeve njerëzore.
Titulli mbart me vete një domethënie të veçantë: „bari i ri i çdo pranvere” simbolizon ripërtëritjen, ringritjen, shpresën, fillimet e reja dhe vazhdimësinë e jetës. Pranvera këtu nuk shfaqet thjesht si një stinë kalendarike, por si një gjendje shpirtërore, një mundësi e përsëritur për të filluar përsëri.
Një nga veçoritë më interesante të poezisë është ndërthurja e stinëve me gjendjen poetike dhe emocionale të subjektit.
Vargjet:
„kësaj vjeshte
para se të zbutej pakëz kjo kohë
me një rigë shi
a me një diell që s’ngroh si n’verë”
krijojnë po ashtu një atmosferë kalimtare, të paqëndrueshme dhe melankolike.
Vjeshta simbolizon një periudhë të pjekurisë, të zbehjes së pritshmërive dhe ndoshta të një vetëdijesimi të hidhur. Ndërsa dimri:
„para dimrit të pashmangshëm
që vjen dhe pa e ftuar”
përfaqëson ftohjen emocionale, vetminë, mbylljen dhe fundin e një cikli të papërcaktuar.
Këtu shfaqet një kontrast domethënës: poeti shpërndan ftesa përpara se të vijë dimri, sikur të dëshirojë t’i japë jetës edhe një mundësi për ngrohtësi njerëzore.
Dimri është i pashmangshëm, por vetmia nuk është domosdoshmërisht zgjedhje e tij. Ajo vjen edhe si pasojë e mungesës së të tjerëve.
Vargjet hyrëse,
„Shumë ftesa shpërndava ditë më parë
përmes gjethesh e zogjsh
erës që s’pushonte”
janë ndër më të bukurat e poezisë për nga ngarkesa figurative.
Ftesat nuk shpërndahen përmes postës apo mjeteve të zakonshme, por përmes gjetheve, zogjve dhe erës. Kjo e zhvendos poezinë nga një realitet konkret në një hapësirë poetike, ku natyra bëhet ndërmjetëse e komunikimit ndërnjerëzor.
Ftesa mund të lexohet si metaforë e dashurisë, miqësisë, pajtimit, kujtesës dhe dëshirës për të mos mbetur vetëm. Por përgjigjja ndaj kësaj ftese është e papritur:
„Të ftuarit që fare pak i prisja
erdhën
të tjerët në të cilët as dyshoja
s’di ku ngelën”
Këtu qëndron një nga paradokset më të forta të poezisë: vijnë ata që nuk i prisnim, ndërsa mungojnë ata tek të cilët kishim besuar.Ky është një observim zhgënjyes mbi natyrën e marrëdhënieve njerëzore. Shpesh, ata që i konsiderojmë të afërt, nuk na gjenden pranë në momentet kur kemi nevojë për ta. Për pasojë, mungesa e tyre lë një shije refuzimi:
„Vetëm ombrella e zezë
nga frika se mos e harroja diku
më mbeti në dorë
pa e hapur
dhe një shije e hidhur refuzimi”
Vargje si këto përbëjnë kulmin poetik të kësaj poezie. ‘Ombrella e zezë’, brenda këtij krijimi poetik shndërrohet në një simbol shumëkuptimor. Ajo (ombrella), mund të përfaqësojë mbrojtjen nga shiu, por edhe përgatitjen për një oscilim që nuk u shndërrua kurrë në ngjarje konkrete. Fakti që ombrella mbetet e mbyllur është domethënës: poeti ishte përgatitur për mot të keq, por ajo që e godet nuk është shiu, por zhgënjimi njerëzor, sepse ata apo ato që i priste, munguan.Ndaj, ngjyra e zezë e ombrellës paraqet më së miri atmosferën e zymtë dhe parandjenjën e heroit lirik se diçka po humb.
Një detaj veçanërisht i goditur është dhe vargu, „më mbeti në dorë”, i cili ka një kuptim të dyfishtë: ombrella është objekti që i mbetet fizikisht subjektit, por edhe pritja e parealizuar, përpjekja e papërmbushur dhe zhgënjimi që nuk mund të shmanget.
Kjo e shtrëngon poetin që të ndërmerr veprime konkrete, gjithnjë në planin poetik, i cili nuk është aspak i lehtë por që krijimit poetik ia japin një dimension tjetër, më të thellë dhe më personal.
„Fytyrave të pritshme
të strukura diku zgurave të Çepurit
nuk do t’ua prishë më
qetësinë e përkohshme”
Përmendja e Çepurit krijon një hapësirë konkrete, me një ngarkesë të mundshme vendore, historike dhe kujtesore. Shprehja „fytyrat e pritshme” sugjeron njerëz të cilët subjekti lirik i ka mbajtur në mendje, i ka kërkuar dhe i ka pritur, por që tashmë duken të paarritshëm. Ndërsa „zgurat” krijojnë imazhin e një vendi të fshehtë, të mbyllur, ku njerëzit janë strukur, larg kontaktit dhe shqetësimeve të botës së jashtme. Në këtë pikë, poezia bëhet më e ashpër. Poeti nuk dëshiron më t’i shqetësojë ata.
Ky është momenti kur pritja shndërrohet në tërheqje dhe zhgënjimi në një vendim për të mos insistuar më.
„Le të kalben në heshtje
për barin e ri të çdo pranvere …”
Përmbyllja është mbase pjesa më filozofike e poezisë. Folja „kalben” mbart një ngarkesë të fortë emocionale. Ajo nënkupton braktisjen, shuarjen dhe lënien në harresë të diçkaje që dikur kishte rëndësi.
Por poeti nuk e lidh kalbjen me arratisjen përfundimtare. Përkundrazi, ajo vendoset në raport me barin e ri të pranverës duke krijohuar një paradoks të bukur: diçka duhet të kalbet për ta ‘ushqyer ‘, ‘barin e ri të çdo pranvere. Kjo mund të lexohet si një metaforë e ciklit të jetës: marrëdhëniet e ndërlikuara, pritjet e zhgënjyera dhe lidhjet e konsumuara lihen anash, në mënyrë që të krijohet hapësirë për një fillim të ri.
Poezia ndërtohet mbi një figuracion të natyrshëm, pa teprime dekorative. Ajo është e drejtpërdrejtë, narrative, me ndërhyrje të ligjërimit të përditshëm, si te shprehja „s’ngroh si n’verë”. Kjo e bën poezinë më intime dhe më afër përjetimit të drejtpërdrejtë edhe për faktin se është shkruar në varg të lirë, pa skemë të rregullt rime dhe pa një metrikë të përcaktuar sipas teorisë letrare. Poezia zhvillohet gradualisht: nga shpresa dhe ftesa, te pritja, pastaj te mungesa, zhgënjimi dhe, në fund, shpie te një lloj dorëheqjeje figurative. Kjo e bën strukturën e saj jo vetëm poetike, por edhe dramatike.
Në një lexim më të thellë, poezia nuk flet vetëm për njerëz që nuk u përgjigjen ftesave. Ajo flet për një të vërtetë të hidhur të përvojës njerëzore: jo të gjithë ata që presim e meritojnë pritjen tonë dhe jo të gjithë ata që na vijnë papritur janë të parëndësishëm. Njëkohësisht na kujton se njeriu mund të lodhet duke trokitur në dyer që nuk hapen, duke kërkuar fytyra që nuk shfaqen dhe duke ruajtur vende për njerëz që nuk kanë ndërmend të vijnë. Nisur nga kjo, poezia ngre një pyetje: A duhet të vazhdojmë t’i ftojmë pranverave tona njerëz që nuk na vijnë as në vjeshtat tona? Për ironi, edhe na e marrin edhe atë pak kohë të mbetur, duke i pritur.
E veçanta e kësaj poezie ( po dhe i gjithë opusit poetik të Sabit Rrustemit), na jep mundësinë që të ta lexojmë dhe mes rreshtash, për t’i gërmuar të pathënat e fshehura thellë shpirtit poetik.
(16 nëntor 2026)
___________________
Sabit Rrustemi
PËR BARIN E RI TË ÇDO PRANVERE
Shumë ftesa shpërndava ditë më parë
përmes gjethesh e zogjsh
erës që s’pushonte
kësaj vjeshte
para se të zbutej pakëz kjo kohë
me një rigë shi
e me një diell që s’ngroh si n’verë
para dimrit të pashmangshëm
që vjen dhe pa e ftuar
Aq ftesa përcolla
sa s’dija në mund t’iu gjeja
poaq ulëse
strehëza
Të ftuarit që fare pak i prisja
erdhën
të tjerët në të cilët as dyshoja
diku ngelën
Ditën s’kisha si ta zgjasja më tepër
as ta mashtroja me karamele
se mos vinin
në fund
fare
Mbeta si një lis i zhveshur midis stine
me një ombrellë të zezë në dorë
pa e hapur
nga frika se mos e harroja diku
dhe një shije të hidhur refuzimi
Fytyrave të pritshme
të strukura diku zgurave të Çepurit
nuk do t’ua prishë më
qetësinë e përkohshme
Le të kalben në heshtje
për barin e ri të çdo pranvere
_______________
(Më 15 nëntor 2026 – apo në Ditën time të gënjeshtërt)




