Futboll

FC DARDANET – VITI FITON TROFEUN E TURNIRIT REVIAL TË 28 NËNTORIT

Pozharan, 28 Nëntor 2026
Në kuadër të aktiviteteve sportive të organizuara për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Vitisë, përkatësisht Sektori i Sportit, në bashkëpunim me Lidhjen Rajonale të Futbollit, organizoi turneun revial të futbollit, i cili u zhvillua në stadiumin “Ibrahim Kurteshi” në Pozheran.
Në këtë aktivitet sportiv morën pjesë katër ekipe, përkatësisht FC Dardanet – Viti, FC Kumanova dhe FC Drita nga Gjilani, të cilat përmes ndeshjeve të zhvilluara dhuruan emocione dhe futboll cilësor për të pranishmit.


Ndeshjet u karakterizuan nga rivaliteti sportiv dhe korrektësia në fushën e lojës, ndërsa rezultatet e arritura ishin:
– FC Dardanet – FC Kumanova 0:0
– FC Kumanova – FC Drita 1:1
– FC Dardanet – FC Drita 3:1
Në përfundim të turneut, sipas radhitjes përfundimtare, trofeun e vendit të parë e fitoi FC Dardanet – Viti, vendin e dytë e zuri FC Kumanova, ndërsa vendin e tretë FC Drita nga Gjilani.
Pavarësisht temperaturave të ulëta, ndeshjet u zhvilluan në kushte të përshtatshme për lojë dhe me një atmosferë të mirë sportive, duke dëshmuar edhe një herë se futbolli mbetet një ndër format më të bukura të bashkimit dhe afrimit të sportistëve.
Ky turne, i organizuar në frymën e festës së 28 Nëntorit, përcolli një mesazh të veçantë të unitetit, miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet trevave shqiptare. Përmes sportit, ekipe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut u bashkuan në një fushë të përbashkët, nën frymën e një gjuhe, një historie dhe një flamuri kombëtar.
Organizatorët falënderuan klubet pjesëmarrëse, futbollistët dhe të gjithë kontribuuesit për pjesëmarrjen dhe angazhimin, duke vlerësuar rëndësinë e aktiviteteve të tilla në promovimin e sportit, bashkëpunimit dhe frymës së miqësisë.
Urime FC Dardanet – Viti për trofeun e fituar!
Gëzuar 28 Nëntori – Dita e Flamurit.Aziz ZUKA

You Might Also Like