Pas 14 vitesh në drejtimin e Shkollës së Muzikës në Gjilan, me shpalljen e konkursit për drejtor të ri, kam vendosur të mos kandidoj për vazhdimin e kësaj detyre. Nuk po tërhiqem nga dashuria për shkollën, por nga bindja se ndryshimi është pjesë e natyrshme e jetës.
Tash është koha për energji, ide dhe vizione të reja, për t’ua hapur rrugën gjeneratave të reja, për t’iu kthyer më shumë familjes, vetvetes dhe sfidave të tjera. Jeta nuk matet vetëm me atë që arrijmë të mbajmë, por edhe me atë që kemi guximin t’ua besojmë të tjerëve. Ndonjëherë, akti më i madh i udhëheqjes është edhe të dish kur të largohesh nga podiumi.
Ndihem jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar për gjithçka që kemi arritur gjatë këtyre viteve. Sot, në shtëpinë/shkollën tonë të re, moderne, ndër më të mëdhatë dhe më bashkëkohoret në vend e rajon, kujtojmë rrugëtimin e mbushur me sfida, përpjekje dhe sakrifica. E shndërruam atë në një hapësirë të dijes, artit dhe teknologjisë, duke hapur drejtime të reja, për herë të parë (harpë, kornë, trompetë, fagot dhe balet). Koncertet e panumërta, sukseset e jashtëzakonshme të nxënësve tanë në skenat vendore e ndërkombëtare dhe hapja e paraleles në Kamenicë janë vetëm disa nga gjurmët e këtij rrugëtimi 14-vjeçar, që për mua përbën një nga kapitujt më të bukur të jetës. Prandaj, besoj se një pjesë të madhe të misionit që i kisha vënë vetes, tashmë e kam përmbushur.
Mirënjohja ime më e madhe shkon për familjen, për durimin dhe mbështetjen përgjatë gjithë këtyre viteve. Një falënderim i veçantë për engjëllin tim, babanë e shtrenjtë, i cili edhe sot më udhëheq nga lart. Ai më la trashëgimi jo vetëm dashurinë për muzikën, por edhe mësimet e jetës, përgjegjësisë dhe udhëheqjes.
Faleminderit kolegëve për bashkëudhëtimin, nxënësve për respektin dhe sukseset, prindërve për besimin dhe qytetarëve të Gjilanit, qytetit tim të dashur, për përkrahjen e vazhdueshme. Falemnderit edhe institucioneve qëndrore dhe vendore, e në veqanti 3 kryetarëve të Komunës me të cilët kisha një bashkëpunim të shëndoshë dhe të vazhdueshëm!
Nuk po i them lamtumirë shkollës, por një detyre që e ushtrova me zemër për 14 vjet. Unë do të vazhdoj të jem prap aty por me përgjegjësi dhe detyra të reja.
Vlera e një drejtuesi nuk matet me kohën që qëndron në një karrige, por me atë që ndërton, me gjurmët që lë dhe me guximin për t’ua hapur rrugën të tjerëve.
Me mirënjohje, krenari dhe dashuri për shkollën tonë dhe Gjilanin!





