OPINION

Shota dhe Azem Galica të Gjilanit

 Shkruan: Ismet Rashiti

Atdhetari i flaktë, njeriu i dijes, mësuesi i dashur, gazetari i zgjuar, dhe luftetari i madh për çlirimin e Kosovës nga robëria shekullore serbe, Tefik Zymberi, u lind më, 21 dhjetor të vitit 1960 në fshatin Verbicë të Zhegocit. Djali i katërt i minatorit të dalluar në Kishnicë, Vehbiut dhe nënës punëtore e bujare, Hanifes.
 
Prindët e dëshmorit Tefik Zymberi : Vehbi dhe Hanife Zymberi

Vetëm dy vite më vonë, më 1962, në Gjilan lindë Hanumshahe Abdullahu, bashkëshortja, bashkudhtarja e jetës dhe bashkëluftetarja e pandarë e Tefikut nga babai Avdullahu dhe nëna Erfane. Te dy së bashku në shkollë, në jetë e në ideale kombëtare. Dy luftetarë trima, që nuk kursyen as jetën për çlirimin e Atdheut. Dy dëshmorë që punuan, qëndruan e luftuan si Shota e Azem Galica të Gjilanit.
  
Prindërit e dëshmores Hanumshahe : Avdullah dhe Irfane Avdullahu
I etur për dije e përparim, Tefiku i vogël e zemërmadh, në vitet më të rënda që po përjetonin shqiptarët pas aksionit famëkeq të armëve dhe mohimit të gjitha të drejtave kombëtare të shqiptarëve, regjisttrohet në shkollën fillore të vendlindjes, ndërsa mësimet e mesme i kryen në gjimnazin e Gjilanit. Për shkak kushteve të vështira ekonomike, detyrohet të banoi te motra Zyrija në fshatin Bresalc, rrugë kjo të cilën shpesh e bënte në këmbë.
Në këto kushte të rënda ekonomike, Tefik Zymberi, në vitin 1979 nisë studimet në Fakultetin Filozofik – Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Në vitet më të errëta, kur ndaj shqiptarëve inskenoheshin vrasje e tortura nga më të ndryshmet siç ndodhi rasti në Paraçin me vrasjen e shqiptarit, Aziz Kelmendi, biri i popullit, Tefik Zymberi, ndodhej në shërbimin e dhunshëm ushtarak jugosllav në Nishë, ku eprorët shovinistë serbë, në forma të ndryshme i maltretonin ushtarët shqiptarë, ndër të cilët edhe Tefik Zymberin.
Ndonëse me fakultet të mbaruar, për shumë vite, Tefik Zymberi ka qenë i papunë dhe i diferencuar politikisht . Në vitin 1990 deri në vitin 1995, punoi si mësues në fshatin Verbicë. Si mësues i mirë, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë, u dallua edhe në shkollën « Vatra e diturisë » në Pasjak. Kjo shkollë tashmë me krenari, e mbanë emrin e dëshmorëve « Tefik e Hanumshahe Zymberi ».

  
Rrugët dhe shkolla që mbajnë emrat e dëshmorëve, Tefik dhe Hanumshahe Zymberi
Në vitin 1993, Tefik Zymberi dhe Hanumshahe Abdullahu, u martuan për t’mos u ndarë në asnjë hap në jetë dhe veprimtari atdhetare. Një bashkëshort, i përkuashtuar deri në fund për çlirim kombëtar. Trima sypatrembur e human, njerëz të afërt e të dashur për të gjithë. Te dytë mësues të gjeneratave, pastaj Hanumshaja drejtoreshë shkolle, ndërkaq Tefiku redaktor e gazetar në gazetat « Vatra » dhe « Bashkimi « , bashk me një grup veprimtarësh e atdhetarësh tjerë nga Gjilani.

Dëshmori Tefik Zymberi me fëmijët Diellën dhe Atdheun

Më 20 tetor të vitit 1994 lindin fëmijën e parë Diellën, e cila me rrezet e saj të arta do të shëndritë trojet mbarë shqiptare, bashk me Atdheun e datës 21 tetorit 1997, kur edhe kishin filluar të marrin flakë shkëndijat e luftës çlirimtares. Tashmë dy fëmijët e dy kolosëve të çlirimtarës, po e nderojnë vendin e të parëve me sjelljet dhe të arriturat e mëdha në fushën e shkollimit. Diella ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Gjermani dhe është martuar me Korab Shkodrën nga Gjilani, ndërkaq Atdheu po studjon Fakultetin e Ndërtimtarisë, poashtu në Gjermani, ku edhe jeton bashk me vëllezrit, Kastriotin, Arjanitin dhe Albanin si një e të pandarë. Një meritë të veqant për përkujdesjen dhe shërimin e Atdheut, e ka zonja Igballe Zymberi, e cila në kushte të rënda, pas rënies së prindërve, i merrë në Gjermani, ku edhe i rritë me përkujdesje maksimale sikurse fëmijët e saj.
Dëshmori, Tefik Zymberi qysh herët kishte dëshirë ta vizitonte Shqipërinë. Disa herë kishte takuar ambasadorin e Shqipërisë, lidhur me marrjen e vizave, të cilat edhe i kishin marrë për ta vizituar Shqipërinë bashk me një grup atdhetarësh. Mirpo, kjo dëshirë nuk iu realizua, i mbet pengë në zemër për shkak shpërthimit të demonstratave të vitit historik 1981.

 
E tërë familja në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe bashkimit të trojeve shqiptare

Këto demostrata, i kishte mirëpritur edhe Tefik Zymberi me pjesëmarrjen e tij, duke shkruar, baratur e brohoritur parullat për Republikën e Kosovës. Banesa e atdhetarit të flaktë, Tefik Zymberi, ishte bërë bazë e fortë e lëvizjes kombëtare. Aty hynin e dilnin patriotë nga të gjitha viset, lexonin e dëgjonin Radio Tiranën e atëhershme. Për këto dhe veprimtari tjera, Tefiku bashk me vëllaun e tij, Bajramin, ishin kapur nga policia më 11 mars të vitit 1982, pikërisht në njëvjetorin e demonstratave studentore në mensën e studentëve. Në burgun e Ferizajit kishte qenë në një dhomë me Afrim Abazin, tashmë dëshmorë i kombit, i cili nga torturat e policisë, ishte mbytur në burgun e Ferizajit. Këto vujtje dhe tortura që ushtroheshin mbi trupin e njomë të Afrim Abazit, Tefiku i kujton në njëmbëdhjetë vjetorin e rënies, në gazetën « Vatra » : E merrnin shpesh në pyetje dhe e torturonin keq kriminelët. Sa më dhimbsej kur e sillnin në dhomë policët duke e përplasur të përgjakur… »
Ndjekjet, tortur dhe burgosjet e herëpasherëshme, asnjëherë nuk arritën ta thyejnë shpirtin liridashës të Tefik Zymberit. Menjëherë pas burgut, vazhdoi të punonte edhe më vrullshëm në Lëvizjen Gjithëpopullore, duke shkruar e shpërndarë parulla. Edhe sot e asaj dite është e njohur jehona e parullës, Kosova Republikë, e shkruar në vitin 1988 nga Tefiku, bashk me atdhetarët Ahmet Demiri dhe Ilaz Zymberi.
Krahas vepromtarisë organizative në shërbim të çështjes kombëtare, Tefik Zymberi, mirrej edhe me shkrime letrare, arkeologji e pikturë. Në vitin 1992, Tefiku si kryeredaktor, bashk me një grup veprimtarësh nxorën gazetën « Vatra ». Për shkak temave që trajtonte dhe shkrimeve me frymë kombëtare, Tefiku dhe anëtarët tjerë të redaksisë, kapen në Graçanicë, dërgohen në Prishtinë e pastaj në Gjilanë, ku rrahen e maltretohen nga inspektorët e sigurimit serb dhe për pasojë e ndërpresin daljen e kësaj gazete.
Ëndrrën e madhe që t’a vizitonte Shqipërinë, Tefik Zymberi e realizoi në vitin 1991-1992 . Përveq kënaqësisë së madhe që ta vizitonte këtë pjesë të Atdheut, qëllim tjetër kishte edhe këmbimin e informatave për gazetën « Vatra » dhe sjelljen e literaturës patriotike në mënyrë ilegale përmes kufirit me Maqedoninë. Patriotizmi dhe shpirti human i Tefikut, u dëshmua edhe në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve dhe në Shoqatën Humanitare, « Nëna Tereze », e cila gjatë kësaj kohe ka ndihmuar në shumë aspekte të jetës në Kosovën e okupuar nga Serbia.
Ndër gëzimet më të mëdha të Tefik Zymberit, ka qenë dalja në skenë e UÇK-së së cilës menjëherë i bashkohet me shoqen e jetës dhe të idealit, Hanumshahe Avdullahu – Zymberi të cilët Shtabi i Zonës së Karadakut i cakton në sektorin e informimit. Përveq kësaj detyre të cilën e kryenin me nderë dhe përkushtim të madh, Tefiku dhe Hanumshaja, kryenin edhe detyra tjera shumë të rëndësishme si : grumbullimi i mjeteve matiriale, ushqim, veshëmbathje dhe dërgimin e ushtarëve. Me një fjalë shtëpia e tyre ishte bërë bazë e fortë e luftës çlirimtare, ku ishte përpiluar edhe platforma e të gjitha zhvillimeve ushtarake në Zhegoc dhe rrethinë. Thënë ndryshe shtpia e Tefikut dhe Hanumshahes, ishte bërë urë lidhëse në mes Drenicës, Malësisë së Marecit dhe pjesës së zonës kufitare me Serbinë dhe Maqedoninë.
Kjo veprimtari e dendur dhe e gjithanshme, nuk kishte si mos tu binte në sy forcave policore e ushtarake të agresorit serb. Në mëngjesin e 15 prillit 1999, tesksa Tefiku me bashkëluftetarën e pandarë, Hanumshahen nisen për në Gjilan me detyra të shtabit të Zonës Operative të Karadakut, në vendin e quajtur te Hanet e Zhegocit, bien në pritë të forcave serbe. Aty bien pa iu trebur syri në fushën e nderit me porosinë e madhe se lufta duhet të vazhduar deri në fitore. Në këto momente gjamë lëshuan bjeshkët e Zhegocit të cilat ishin të vetmet dëshmitare. Atë mëngjes prilli, u tundën shpatije, kodra e hane, por nuk u tundën, nuk u thyen, as nuk u friksuan zemrat e heronjëve, Tefik e Hanumshahe Zymberi, që ranë në mbrojtje të lirisë dhe tokave shqiptare. Lajmi për rënien e dy luleve shqiptare, u shpërnda përmes jehonës së maleve vigane të Vërbicës së Zhegocit. Në vend të lotëve shkriheshin në shkëlqim nga rrezet e diellit të zvenitur, pikat e vesës së asaj pranvere të madhe, ndërkaq në vend të pikllimit qëndronin hierënd lisat e malit si dëshmitarët më të mirë të asaj kohe të rëndë.


Igballe Zymberi me fëmijët e dëshmorëve, Tefik dhe Hanumshahe Zymberit : Diella dhe Atdheu

« Unë si kunatë e dëshmorit, Tefik Zymberi, bisedën e fundit e kam pasur më 11 prill 1999, katër ditë para se të binin në pritë. Kanë qenë në Marec dhe iu thash shkoni e vizitoni fëmijët se janë mërzitë. Hanumshahja mu përgjegj, duke më thënë se edhe Jasharajt shkuan të gjithë. Nëse vritemi po ti lë Diellën dhe Atdheun për të cilët duhet të kujdesesh sepse ne nuk do të ndalemi nga kjo rrugë e lavdishme. Ndërkaq, Tefiku, më tha se fëmijët janë mirë, po kujdesen të gjithë.Nëse në vritemi, po e di që po ia lë Kosovës edhe dy fëmijë », kujton pas kaq shumë vitesh, Igballe Zymberi, e cila është përpjekur me mish e me shpirtë ti rrisë fëmijët, pa e ndier mungesën e prindërve në asnjë moment.

       

Nderime e respekt për dëshmorët, Tefik dhe Hanumshahe Zymberi, ditën e rivarrimit

Lajmi për rënien e Tefikut dhe Hanumshahes kishte marrë dhenë. Ato ditë të gjithë shqiptarët, kudo që ishin pritnin me padurim lajmet e ditës. Kudo ndjekje, vrasje, shpërngulje me dhunë të shqiptarëve nga forcat serbe. « Isha në Gjermani dhe shkuam te vëllau, Isaku. Ishin kryer lajmet përmes së cilave ishte bërë e ditur rënia e Tefikut dhe Hanumshahes.Sapo hyra pashë se diçka nuk ishte mirë. Nuk më tregonin çka kishte ndodhur, vetëm na thonin se Kosova po digjet prej shkaut. Pas pak filluan telefonatat. E kuptova se ka ndodhur diçka dhe kam bërtitë. Burri im, Bajrami pyeti çka ki ? Ne i tham se vëllau, Tefiku qenka plagosur. Unë nuk muajta me i tregu më shumë, ndërsa ai më tha se dëshmorët nuk vajtohen, por këndohen », kështu përplotë emocione i kujton ato momente sa të rënda aq edhe krenare, Igballe Zymberi.


Me nderime të larta rivarrosen dëshmorët e kombit, Tefik dhe Hanumshahe Zymberi

Çlirimi i Kosovës nga soldateska serbe, ishte një gëzim i madh, një ngazllim në sytë e çdo shqiptari. Gjaku i dëshmorëve ishte ishte vendosur në themel të lirisë e pavarësisë dhe si i tillë po respektohej me përulje para jetës dhe veprës së pavdekshme të tyre.
Më 17 shtator 1999, të ati viti historik, populli i Kosovës bashk me institucionet shtetërore të dalura nga lufta, me nderime të mëdha, rivarrosin trupat e dëshmorëve Tefik e Hanumshahe Zymberi në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, ku prehen sot e përgjithëmonë përkrah luftetarëve dhe dëshmorëve tjerë të kësaj ane.

You Might Also Like