LAJME

Lutfi Haziri: Të dhënat e Brukselit për Qeverinë e Kosovës, janë alarmante

Në ditën e dytë të takimit të Partive Popullore Europiane në Bruksel, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se ka pasur mjaft shqetësime nga deputetët dhe përfaqësuesit e tyre sa i përket disa çështjeve për Kosovën.

“Përveç ndarjes së gëzimit dhe lajmit që LDK është rikthyer si partia e parë pas zgjedhjeve lokale, natyrisht që shqetësimet mbeten lidhur me demarkacionin dhe proceset tjera që Qeveria e ka për obligim t’i dërgoj në Kuvend. Në këtë mbledhje u paraqitën shqetësime serioze që lidhen me liberalizimin e vizave dhe pritjet janë të mëdha që Kosova të reagojë”, thënë Haziri.

“Njëra nga temat kryesore, po ashtu, ka qenë edhe Gjykata Speciale, shqetësim i përfaqësuesve të partive të ndryshme që janë pjesë e grupit më të madh politik këtu. LDK do të vazhdoj ta luaj rolin konstruktiv, duke qenë pjesë e një opozite aktive e dinamike, e cila kujdestaron politikisht në realizimin e të gjitha këtyre kërkesave dhe shkaktimin e progesit sa më të madh”, ka shtuar nënkryetari i LDK’së, duke pohuar se të dhënat e Brukselit për Qeverinë, janë alarmante.

“Kjo Qeveri ka shkaktuar pasiguri dhe të dhënat janë alarmente këtu. Sidomos pas vizitës së fundit të kryeministrit në Bruksel dhe krejt këto zhvillime shqetësojnë seriozisht deputetët dhe përfaqësuesit më të lartë të Partive Popullore Europiane. Pas ratifikimit të demarkacionit, është konstatuar që duhet të ketë rezultate të prekshme në luftimin e korrupsionit dhe krimit si kritere për liberalizimin e vizave”, është shprehur Haziri.

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, tha se përfaqësuesit e Partive Popullore Europiane e kanë marrë me shqetësim edhe faktin e tendencës e disa grupeve politike për futjen nën kontrollë të RTK.

“Në adresimet e  sotme pati shqetësime edhe sa i përket tendencës që politika me çdo kusht po dëshiron që të hyjë në kontrollë përmes një procesi hetimor, përkatësisht një komisioni parlamentar për transmetuesin publik RTK, që është e papranueshme për LDK’në”, ka përfunduar nënkryetari, Lutfi Haziri, i cili në Bruksel po e përfaqëson Lidhjen Demoratike të Kosovës.

You Might Also Like