Profesorë nga shtetit Iowa në ShBA kanë vizituar Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan dhe nga afër janë njoftuar me punën që bëhet në këtë institucion shkollor. Ata janë pritur nga drejtori Bekim Mustafa, kurse në takim ishin të pranishëm edhe Sami Hoxha, drejtor i Gjimnazit Shoqëror “Zenel Hajdini” dhe zyrtarja për Arsimin e Mesëm, Majlinda Hoxha.
Fillimisht, drejtori i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, Bekim Mustafa, ka theksuar se Arsimi i mesëm në komunën e Gjilanit ka një traditë të gjatë. Fillimisht si Gjimnaz “Zenel Hajdini” me disa drejtime, kryesisht të lëndëve të shkencave natyrore, shoqërore dhe gjuhësore, deri në vitin 2014, kur u krijuan dy gjimnaze.
Shkolla jonë është shkollë elitare në Gjilan dhe mbledh nxënësit më të mirë që kryejn arsimin fillor. Në këtë shkollë mësimi zgjat tri vite dhe nxënësit i përkasin drejtimit natyror. Shkolla ka 1170 nxënës, mësimi zhvillohet në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe atë turke. Në procesin arsimor janë të kyçur mbi 60 profesorë, sikurse që shkolla ka edhe stafin drejtues.
Në këtë shkollën kryesisht mësohen lëndë të shkencave të natyrës, gjuhë të huaja si anglisht, frëngjisht e gjermanisht, sikurse që mësohen edhe lëndë shoqërore.
Nxënësit e shkollës sonë gjithmonë kanë arritur suksese të larta në provimin shtetëror, sikurse edhe në gara të ndryshme.
Shumë nga këta nxënës, studimet e tyre i vazhdojnë në universitetet tona, por edhe jashtë vendit, përfshirë këtu edhe SHBA-të.
Shkolla posedon edhe me kabinete, si ai i TIK-ut, biologjisë, kimisë, për të cilat i falënderohemi kryetarit të komunës, Lutfi Haziri, Drejtorisë së Arsimit, por edhe donatorëve, të cilët na kanë dalë në përkrahje. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Universitetin Amerikan në Kosovë.
Me gjithë këto të arritura shkolla ka ende nevojë për përkrahje me qëllim që të arrihet nivel bashkëkohor si në BE e SHBA.
Edhe Sami Hoxha i ka njoftuar mysafirët nga SHBA për punën që bëhet në këtë gjimnaz me një traditë mbi 73 vjeçare, derisa Majlinda Hoxha, zyrtare për Arsim në Lartë në Gjilan ka thënë se Gjilani ka traditë në arsim dhe se po bëhen përpjekje në zhvillimin e arsimit nëpërmjet trajnimeve të ndryshme, investimit në infrastrukturë dhe falë udhëheqjes komunale me në krye Lutfi Hazirin.
Nxënësja Festina Kurteshi, në gjuhën angleze, foli për punën në gjimnaz dhe angazhimet që bëhen në të, derisa zotëri Till dhe zonja Sara, që të dy profesorë universitarë në SHBA, kanë theksuar se ata kanë mbi 1200 studentë. Sipas Till, ata përgatisin udhëheqës arsimorë dhe tha se institucioni ku punon ai është një prej tri universiteteve publike në Iowa dhe se ata përgatisin mësimdhënës nga të gjitha lëndët.
Derisa sipas zonjës Sara, profesoreshë në departamentin e letërsisë, ata kolegjin më të madh në kampua dhe ai institucion është vend i duhur për t’u bërë mësues.
Mysafirët nga SHBA-ta janë ndalë në bisedë edhe me nxënës.