Mehmetali Rexhepi –
Të çmuar miq! Pas dy netësh që ndoqa Evrovizionin, domethënë konkurrimin për këngën më të bukur në Evrovizionin 2018, me gjithë padrejtësitë, zilinë e shfrenuar të fqinjëve grekë, sikur harrojnë qytetërimin tonë të mohuar pellazg-ilirë, kontributin e shqiptarëve për lirinë e Greqisë…Si rrallë herë u ndjeva i ngazëllyer dhe krenar me paraqitjen e bukur, profesionale, dinjitoze të kantautorit të shkëlqyeshëm, djaloshit Eugent Bushpepa! Siç shkruante Dritëro Agolli: “Fjala shqipe s`shitet në pazar…”, është po kjo fjalë shqipe e veshur më muzikalitetin dhe kumbimin melodik në këngën “Mall”, në shqiptimin e fuqishëm, tejet të ndjeshëm dhe melodik të artistit të ri shqiptar Eugent Bushpepa, aq sa mahniti publikun evropian dhe botëror…
Zbërthimi poetik i “mallit të shqiptarit” para Evropës dhe botës, nuk ishte thjesht një porosi argëtuese, por zbërthim i një shpirti të dhimbshëm, të mohuar, të paragjykuar, të minimizuar, të ndjekur, të masakruar, të blasfemuar, por mbi të gjitha këto: krenar. Krenar deri në kuptimin më të lartë të kësaj fjale.
Edhe një herë i shpërfaqëm Evropës hiletare se jemi themeli autokton i saj; se jemi më evropianë se grekët e serbët e gjenocidit mbi ne; se nuk jemi të verbuar nga urrejtja, paragjykimet, përbuzjet, sharjet dhe zilia patologjike e tyre; se jemi themeli i qytetërimit evropian më gjithçka. Andaj, miq të dashur! U ndjeva i ngazëllyer, meqë shkëlqeu drita e ngjyrave të këngës shqipe… Animet, hilet e votimit nuk më bëjnë përshtypje… Barrën e shfaqjes së talentit artistik, për t`i përfaqësuar edhe dy kombe e shtete tjera, si për Italinë e për Qipron, e morën pikërisht edhe dy bashkëkombësit tanë të talentuar… I ngritën shtetet që përfaqësuan në majat e renditjes konkurruese evropiane. Me gjithë atë, kursi i urrejtjes e nënvlerësimit nga pushtuesit e trojeve tona nuk ka të ndalur…!
Të lumtë Eugent! I lumtë rinisë së talentuar shqiptare, e cila i shpërfillë ndalesat e hekurta të politikës,dhe shpalos imazhin e çiltër të kombit të tyre përpara të tjerëve! Evropë: në shumë fusha do ta shihni gjeniun e kësaj rinie, mirëpo ia keni mbyllur dyert! Pra, Evropë hap dyert për rininë tonë të talentuar, jo vetëm për të shtruar pllaka, por dhe për t`i shfaqur prirjet e saja shkencore, artistike, krijuese dhe vlerat qytetëruese! Ne nuk jemi rrënuesit e Evropës, ne jemi ndërtuesit dhe mbrojtësit e saj.
Gjilan, më 14 maj 2018