Gjilan, 1 qershor 2018 – Fëmijët e të gjitha moshave promovojnë të drejtat e tyre me konventat ndërkombëtare duke kërkuar më shumë vëmendje të familjes, shkollës dhe shtetit në përgjithësi për dëshirat që kanë dhe ambiciet.
Kjo ditë në Gjilan është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një ditë sensibilizimi përmes këngës, parullave e mesazheve të ndryshme, për ti thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve.
Në nderim të kësaj ditë nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka vizituar sot Institucionin Parashkollorë “Ardhmëria 1” fëmijët nëpër pjesë të ndryshme nëpër qytet dhe gjithashtu ka pritur disa grupe të fëmijëve edhe në zyrën e tij.
“Urime 1 Qershori, dita juaj e veçantë. Për fëmijët festë duhet të jetë çdo ditë. Janë pikërisht fëmijët që garantojnë të ardhmen e brezit tjetër e kështu me radhë. Kjo ditë është thirrje për të gjithë ne që të punojmë në shërbim të një ardhmërie më të mirë dhe të sigurt të fëmijëve në Kosovë. Unë lutem gjithmonë që çdo ditë të jetë shëndet dhe gëzim për fëmijët. Është obligim yni i përbashkët që të bëjmë më të mirën e mundshme për fëmijët, sepse janë pikërisht fëmijët ata që japin gjallërinë e vërtetë në çdo aktivitet dhe çdo vend”, ka thënë në fjalën e tij Ismajli.
Gjatë vizitës në Institucionin Parashkollor “Ardhmëria 1”, drejtori i DKA-së, Nazim Gagica, ka potencuar angazhimin që janë duke bërë me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për suksese më të mëdha, për kushte më të mira në infrastrukturën shkollore dhe më modern karshi vendeve më të zhvilluara, sepse me arsim të mirëfillt, me kushte më të mira garantohet edhe zhvillim të vendit.
Të përfshirë në pika muzikore, marshuta me mesazhe, lodra, e vallëzime, nëpër qytet kanë defiluar shumë fëmijë që i kanë dhënë gjallëri sheshit të Gjilanit në përcjelljen edhe të edukatoreve, prindërve, qytetarëve dhe aktorëve të Gjilanit, të cilët kishin veshjen e personazheve të filmave për fëmijë.