Gjilan, 5 qershor 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me rastin e shpalljes së rezultateve zyrtare të testit të arritshmërisë, falënderon të gjithë nxënësit e Gjilanit për sukseset e shënuar në test, duke bërë që me punën e tyre të shënohet ngritje prej 2.44 për qind në raport me vitin e kaluar.
Kryetari Haziri ka thënë se sukseset e Gjilanit janë të vazhdueshme në të gjithë sektorët pa dallim, sepse ka qytetarëi aktive dhe punëtore nga të gjitha moshat.
“Për Gjilanin sukseset dhe të arriturat në asnjë moment nuk ndalen dhe kjo është meritë e përbashkët e të gjithëve për angazhimin e madh që bëhet në të gjithë sektorët. Gjatë qeverisjes time që në fillim pata vendosur arsimin prioritetin tim të parë dhe shumë të rëndësishëm. Si përcaktim i atij prioriteti rezultatet e testit të arritshmërisë këtë vit janë më të larta se vitin e kaluar për 2.44 për qind. Këtë vit kemi arritjen në nivelin 75 .44 për qind, që është një matje me vlerë të madhe, për punën në të ardhmen. Prioritet i parë arsimi do të jetë edhe më tutje.”, ka thënë kryetari Haziri.
“Falënderoj në radhë të pare nxënësit për përkushtimin dhe punën që kanë bërë në test, mësimdhënësit dhe prindërit për angazhimin dhe drejtorinë Komunale të Arsimit për menaxhimin dhe planifikimin e punës. Urojmë që edhe rezultatet e testit të Maturës të dalin më të larta dhe besojmë shumë në këtë, sepse nxënësit tanë janë të përkushtuar dhe shembull i vazhdueshëm i sukseseve në të gjitha fushat”, pohoi ai.
“Urime Gjilan, urime nxënës, suksese dhe punë e vazhdueshme, së bashku edhe suksese tjera”, përfundoi kryetari Haziri.