Të rinjët e Zhegrës kanë grumbulluar mjete financiare për të siguruar 170 çanta bashkë me të gjitha mjetet e nevojshme shkollore që i duhen një nxënësi për një vit shkollor. 150 çanta janë dhuruar për nxënësit e shkollës “Agim Ramadani” në Zhegër dhe 20 sosh për shkollën fillore “Bajram Curri” në Shurdhan. Filluan me vendosjen e arkave të mbyllura në kafiteritë e fshatit, dhe përfunduan duke marrë donacione nga qytetarë e biznese, mërgimtarë e shoqata humanitare për të realizuar kështu një projekt me mjaftë sukses. Gëzim Tahiri, Adem Ajvazi dhe Valdrin Bajrami dorëzuan të hënën donacionin në dy shkollat e lartëpërmendura, ndërsa të gëzuar me suksesin e aksionit premtuan realizimin e aksioneve të tjera që kontribuojnë në të mirë të komunitetit. Ata kanë bërë edhe një hap më tutje duke publikuar donatorët dhe shumat që kanë dhuruar, dhe krejt në fund kanë publikuar edhe faturat e shpenzimeve.