Futboll

Leotrim Kryeziu ylli i futbollit që po shndrit

Në njëmbëdhjetë ndeshje sa ka luajtur në Zvicër, qëndërsulmuesi gjilanas Leotrim Kryeziu ka shënuar 10 gola, kurse klubi i tij Lugano po e sheh këtë lojtarë si një margaritarë të ardhshëm të klubit.

Menaxherë të ndryshëm këtë ia kanë bërë me dije edhe FC Dritës, ekip në të cilin kishte luajtur Leotrim Kryeziu para se të transferohej në Zvicër. Këto ditë, një grup menaxherësh të futbollit kanë qëndruar në Gjilan, menaxherë këta që e kishin transferuar Leotrim Kryeziun në Lugano, vend në të cilin tashti futbollisti i talentuar kosovar po e vazhdon karrierën me plot sukses.

Menaxherët, theksojnë të kenë ardhur në shenjë respekti që kanë për FC Drita dhe shkaku se janë shumë të kënaqur me  formën dhe performancën e futbolllistit.

Grupi i menaxherëve është kryesuar nga Gabrielle Ambropselti , ish- lojtar i njohur i ekipit anglez Chelsea, por edhe i ekipeve të tjera të njohura në Itali ku ai kishte bërë karrierë. Bashkë me të ishin edhe menaxherët e futbollit, Nicola Giuliani dhe Mirvan Krasniqi, derisa ata në Gjilan janë pritur nga Feti Murseli, drejtor i FC Drita, Jetmir Salihu, menaxher i Dritës, Fisnik Kërqeli, ish- drejtor sportive, Valon Zymberi, udhëheqës i lartë në FC Drita dhe Xhevdet Kryeziu, baba i futbollistit Leotrim Kryeziu.

Siç kanë theksuar menaxherët ndërkombëtarë, futbollisti është në rrugë të mbarë dhe po zhvillon lojëra të pëlqyeshme, andaj shumë shpejt pritet që të dalë në ekipin e parë të FC Lugano. Ai po konsiderohet pasuri e këtij ekipi dhe duke qenë se është vetëm 19 vjeçar ai është shpresë e madhe e FC Lugano.

Të rikujtojmë se Leotrim Kryeziu që në moshën 16 vjeçare ishte bërë pjesë e FC Drita, kurse duke qenë qendërsulmues në këtë ekip ai bashkë me bashkëlojtarët ia arriti që ekipin e Dritës për herë të dytë në histori t’a shpallë kampion të Kosovës. Lojërat e pëlqyeshme kanë bërë që nga selektori i Kosovës U-19, Ramiz Krasniqi, ai të ftohet në kombëtare, duke qenë kapiten i kësaj kombëtareje dhe golashënuesi më i mirë i saj. Krejt këto lojëra të pëlqyeshme, kanë bërë që futbollisti të pëlqehet nga shumë ekipe brenda dhe jashtë vendit dhe në fund ai arriti marrëveshje me FC Lugano, ku po ka paraqitje të bujshme dhe në talenti i tij edhe më shumë pritet të shpërfaqet në vitet në vijim.

You Might Also Like