ARSIMI

Xhemajl Shabani, mësimdhënësi që përmbushi misionin e tij

Nxënës të gjeneratave të ndryshme kishin ardhur për të takuar mësimdhënësin e tyre e ai si gjithherë me cingërimën e ziles, me ditar në dorë po e lëshonte orën e mësimit. Për dyzet vite me radhë asnjëherë nuk i kishte shkuar në mend të lë profesionin e mësimdhënësit, ndonëse në karrierën e tij kishte përjetuar shumëçka edhe padrejtësitë që i bëheshin arsimit shqip, edhe helmimin e nxënësve, dëbimin nga shkollat e mësimin nëpër shtëpi-shkolla, luftën e përpëlitjet për të rinisur mësimin e çka jo tjetër.

Në ditën e Shkollës Shqipe, më 7 mars, në mesin e mësimdhënësve që u nderuan për kontributin e dhënë në arsimin e gjeneratave të reja, është nderuar edhe profesori Xhemajl Shabani, i cili pas dyzet viteve punë edukative e arsimore përfundoi një mision që ia kishte vënë vetit, të jetë në shërbim të nxënësve e të gjeneratave të reja.

E nisi punën me ditar në gjimnaz dhe e përfundoi po në gjimnaz. Ishte fundi i shtatorit të vitit 1979, kur një student – apsolevnt i kimisë kishte përfunduar të gjitha provimet në Fakultetin e Kimisë në Prishtinë dhe po priste vetëm mbrojtjen e diplomës. Xhemajl Shabani, në atë kohë një mësimdhënës i ri iu bashkëngjit kolektivit të Gjimnazit “Zenel Hajdini” dhe që nga ajo kohë kurrë nuk kishte mjedis, pos kohës kur gjimnazi u zhvillua dhe nga ai lindi edhe një shkollë tjetër, Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti”.

Xhemajl Shabani, mësimdhënës i Kimisë shumëçka përjetoi si mësimdhënës, ai vazhdoi punën pa mëdyshje edhe atëherë kur punohej nëpër shtëpi shkolla e në kohën sa ushtroi këtë profesion human ai kujton edhe padrejtësitë që i bëheshin arsimit shqip, të cilat eskaluan me helmimin e nxënësve shqiptarë, dhunë kjo që u shtua edhe me dëbimin e nxënësve nga shkollat, për të arritur kulmin me luftën e fundviteve të nëntëdhjeta.

Atë edhe liria e gjeti me ditar në dorë, kurse gjatë punës së tij sa e sa gjenerata dolën të suksesshme, sa mirënjohje, vende të para u arritën nga ky mësimdhënës që falë punës me kolegët e tij nxorën specialistë të të gjithë profileve.

Tash, dyzet vite më pas, Xhemajl Shabani, mësimdhënës i Kimisë, thotë se po e lë ditarin me ndjenja të përziera, krenar që punoi me nder, që ishte në një kolektiv që e kishte si familje të dytë, krenar që ishte i respektuar nga prindërit, nxënësit e mësimdhënësit, të cilët e përcollën me lot në sy, por njëkohësisht pak edhe i pikëlluar sepse po ndahet me profesionin e shenjtë të mësimdhënësit dhe nga këta njerëz të mrekullueshëm.

“Misionin tim e kam përmbushur. Më kanë respektuar të gjithë dhe ky është gëzimi im më i madh”, thotë mësimdhënësi Xhemajl Shabani, të cilin për t’a përcjellë nxënës të gjeneratave të ndryshme, që tashti janë studentë të dalluar.

“Të punojmë edhe më shumë, të respektohet njëri-tjetri në këtë kohë, të dalim ballëhapur e faqebardhë para nxënësve, prindërve e vendit”, është porosia e profesorit Xhemajl Shabani e të gjitha këto virtyte i kishte pikërisht ky mësimdhënës, i cili e ka merituar pensionimin ashtu siç është tashti  vital, me fytyrë gjithnjë e qeshur i qetë dhe i urtë, ashtu siç kishte qenë gjithnjë për këto dyzet vite gjatë punës prej mësimdhënësi.

Profesori Xhemajl Shabani, urime pensionimi, jetë të gjatë e të lumtur pranë më të dashurve të tu.

You Might Also Like