Gjilan, 23 mars 2020 – Komuna e Gjilanit sot e ka ndihmuar edhe Komunën Komunën e Parteshit, dhe ate për nevoja të mjekësisë familjare dhe për ekipet tjera emergjente që kujdestarojnë në këtë komunë.
Në fjalën e tij pas ndarjes së këtij donacioni, nënkryetari Arbër Ismajli, ka thënë se kjo është një mbështetje kryesisht në material mbrojtës në kuadër të angazhimit të kryetari Lutfi Haziri, i cili është i përkushtuar për të bërë maksimumin në parandalimin e koronavirusit në nivelin regjional.
“Kjo është në kuadër të krijimit të kushteve për ekipet e shërbimit emergjent. Kryetari Haziri edhe gjatë javës së kaluar përmes Komitetit për Emergjenca ka mbështetur Komunën e Vitisë, Ranillugut dhe sot edhe Parteshit. Njëkohësisht kjo po bëhet në kuadër të angazhimit të përbashkët të Komunave të këtij regjioni për parandalimin e këtij virusi. Ekipet e shëndetësisë primare janë duke monitoruar pikat kufitare duke përfshirë këtu edhe mbështetjen e dhënë për disa ditë në pikën kufitare në Han të Elezit”, ka thënë Ismajli.
Ai ka konfirmuar se duhet t’u jepet mbështetje të gjitha komunave në këtë regjion në mënyrë që kjo pjesë të parandaloj me sukses këtë virus dhe të ketë gjendjen e qetë në këtë drejtim dhe me sa më pak raste, duke mobilizuar qytetarët që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.