Në serinë e ndeshjeve të vështira, Gjilani më në fund është mposhtur edhe atë nga Feronikli i Drenasit. Tri ndeshje radhazi brenda një jave edhe atë që të tria jashtë Gjilanit, kanë qenë një barrë e vështirë për Gjilanin, që fillimisht ua ka nxjerrë nga një pikë Besës dhe Trepçës ’89, por në ndeshjen e kësaj të shtune u mposht nga Feronikli, që është kampion aktual.
Mbrojtja e Gjilanit mirë u mbajt në pjesën e parë të ndeshjes, edhe pse Feronikli pati dy raste të mira nëpërmjet Zhdrellës dhe Milicajt, por pak para se të përfundonte pjesa e parë e ndeshjes, Gjilani më në fund u mposht, kur Livoreka në minutën 45 ka shënuar për rezultatin 1:0.
Edhe në pjesën e dytë Feronikli pati raste të mira dhe për pak sa nuk e ngriti rezultatin, por portieri Maloku, si gjithherë ishte në krye të detyrës.
Tashti, në ndeshjen e radhës, Gjilani që ka grumbulluar 18 pikë dhe që gjendet në pozitën e gjashtë, ndeshjen e radhës do t’a zhvillojë si vendas dhe pritet që t’u kthehet fitoreve.