Gjilan, 31 dhjetor 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.
Haziri e ka falënderuar mbasadorin Braathu për mbështetjen e madhe për jetë më të mirë të qytetarëve të Gjilanit.
“Ne emër të qytetarëve të Gjilanit, e falënderoj ambasadorin dhe mikun tim Braathu, për mbështetjen praktike si ambasador, si njeri dhe si diplomat, i cili në çdo kohë nga është gjetur me këshilla praktike, për të ndërtuar paqen dhe jetë më të mirë për qytetarët e Gjilanit. Do të mbetet gjithmonë mik i madh i Gjilanit. Në qendër të qytetit e kemi mbjellë një dru, i cili do ta bartë emrin Jan Braathu”, ka thënë Haziri.
Ndërkaq, ambasadori i OSBE’së, Jan Braathu, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe për bashkëpunimin 21 vjeçar që kanë pasur në Kosovë, në disa nivele.
“Unë e njoh z. Lutfi Haziri tash e 21 vjet dhe përgjatë këtyre viteve kemi punuar në kapacitete të ndryshme për çështje të Kosovës. Në 4 vitet e fundit kam qenë i privilegjuar të jem ambasador i OSBE’së. Në takimin me kryetarin Haziri kemi biseduar për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Kosovë. Hera e parë që kam ardhur në Gjilan ka qenë viti 1997, gjërat kanë ndryshuar shumë dhe do të vazhdojnë të ndryshojnë në Kosovë”, ka thënë Braathu.
Ndryshe, Jan Braathu është emëruar ambasador i OSBE’së në Beograd dhe këtë post do ta ushtrojë në katër vitet e ardhshme.