Futboll

Stadiumi që (s’) e kemi

Qyteti i Gjilanit tash e sa vite (s’)është me stadium. Ishte nisur për t’u bërë stadium ku do të zhvilloheshin ndeshjet ndërkombëtare e ka ngelur si gërmadhë. Arsyet e mosbërjes së tij janë të shumta e nga më të ndryshmet e për të cilat nuk ka qytetar që nuk është i informuar.

Por se sa i domosdoshëm është Stadiumi i Qytetit më së miri u pa në miqësoren e djeshme ndërmjet SC Gjilanit dhe Trepçës ’89, ndeshje në të cilën pati më shumë shikues se sa kur zhvilloheshin ndeshjet kampionale në Stadiumin me bari sintetik.

Afërsia me qytetin, pamja e pastër ngase shikuesit janë në nivele më të lartë se fusha, fusha me bari natyral, tradita dhe shumëçka tjetër e bëjnë shikuesin me joshës se sa Stadiumi me bari sintetik, i cili tash e ka marrë primatin për zhvillimin e ndeshjeve kampionale.

Ajo që është parë është dje është pikërisht ajo që i duhet futbollit Kosovar. Prindër me fëmijët e tyre që shikojnë ndeshjet, shikues të të gjitha moshave e gjinive, nëna që kanë ardhur për t’i parë  se si luajnë fëmijët e tyre dhe shumë arsye të tjera i bëjnë futbolldashësit që të vijnë në Stadiumin e Qytetit derisa në Stadiumin me bari sintetik janë dy mundësi për të parë ndeshjen nëpër vrimat e telave në anën lindore, ku është një tribunë shumë e vogël, derisa në anën perëndimore para shikuesëve qëndrojnë në këmbë sigurimi trupgjerë që mbulojnë pamjen e shikuesit, i cili është në nivelin e fushës prej ku edhe kur sheh diçka janë vetëm këmbët e futbollistëve.

Në kohën kur kemi shumë ekipe futbolli në qytet dhe edhe më tepër në grupmosha dhe kur dy ekipe gati se çdo vit dalin në garat ndërkombëtare, ata që kanë pushtetin duhet t’i shtojnë përpjekjet që sa më parë të bëhet stadium, që kompanitë konkurruese të mos stopojnë punët vend e pa vend, por edhe që të shtohet presioni nga të gjithë që punët të mos shkojnë zvarrë. Mbase për këtë si shembull mund të na shërbejnë rastet e stadiumeve të tjera në Kosovë, te të cilat së paku nuk po ndalet puna në bërjen e tyre. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like