Futboll

Gjilani e lëshon fitoren në fund të ndeshjes

Ballafaqimi Llapi – Gjilani, i luajtur në Stadiumin ,,Zahir Pajaziti” në Podujevë ka hapur stinorin 2024/25 në Superligën e Kosovës në Futboll. Me ekipe gati se krejtësisht ndryshe nga kampionati i kaluar, llapjanët e gjilanasit në pjesëlojën e parë më shumë janë munduar që të mos gabojnë dhe që të dy ekipet kanë luajtur sigurt në mesfushë e mbrojtje, në pritje të kundërshtarit që të gabojë.

Rasti më i mirë i pjesëlojës së parë ishte në minutën 36 edhe atë për Llapin, kur pas një harkimi nga e majta me kokë gjuajti Hamdi Namani e Haxhihamza u zgjat i tëri për të dërguar topin deri në shtyllën e djathtë nga e cila topi është kthyer në fushë.

Në minutën 44 Elvir Gasgjani gjuajti nga 19 metra, por topi shkoi jashtë pingules së majtë të portës së Haxhihamzës dhe pjesa e parë përfundoi pa gola 0:0.

Gjilani më mirë e ka nisur pjesëlojën e dytë, ngase që në minutën  50 pas një harkimi të Bashës nga e djathta, në brendi më së miri u gjet Bilalli, i cili gjuajti me kokë dhe qëlloi këndin e djathtë të portës së Ilir Abdylit.

Në minutën 58 rast të shkëlqyeshëm për të shënuar golin e dytë, por në një rast shumë të mirë Abdyli me këmbë shpëtoi gol të sigurt. Pak më pas edhe Sabit Bilali me akrobacion deshi të shënojë, por topi shkoi jashtë.

Në minutën 61 Robert Rrahmani gjuajti nga largësia, por Abdyli me gishtërinjë e dëboi topin jashtë shtyllës së majtë. Në minutën 72, Gashjani gjuajti nga brendia, por topi shkoi mbi portë. Bilalli edhe në minutën 73 pati rast të mirë shënimi, por kësaj radhe gjuajti shumë plogshtë.

Në minutën 88, pasi që portieri Haxhihamza ka prekur topin që po dilte jashtë, nga goditja nga këndi me kokë topin e ka qëlluar Ahmed Januzi dhe ka barazuar për 1:1.

Gjyqtari Nuza ka dhënë pesë minuta shtesë në të cilat Llapi ka kërkuar me ngulm fitoren, por në minutën e pestë shtesë rastin për të fituar e pati Oltion Bilalli, i cili nuk e qëlloi portën dhe ndeshja u mbyll me rezultat të barabartë 1 me 1./kryelajmi.com/.

You Might Also Like