Gjilan, 19 Shtator 2024 – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, z. Arben Kadriu, ka pritur në takim pune Drejtorin e Policisë Rajonale të Gjilanit, z. Agron Rukiqi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ku në këtë takim ishin prezent edhe prokurorët nga Departamenti për Krime të Rënda dhe Departamenti Përgjithshëm i kësaj prokurorie.
Gjatë këtij takimi, temë diskutimi ishte koordinimi dhe bashkëpunimi në ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta, me ç’rast Kryeprokurori Kadriu dhe Drejtori Rukiqi vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm mes këtyre dy institucioneve.
Gjithashtu, u diskutua sa i përket komunikimit mes institucioneve gjatë kujdestarive, pastaj për ndërmarrjen e veprimeve gjatë realizimit të urdhërkontrolleve.
Nga Kryeprokurori u kërkua që të trajtohen me prioritet të gjitha rastet kriminale, e posaçërisht rastet e dhunës në familje dhe kërkoi që të ndërmerren të gjitha veprimet që në fazën fillestare të paraqitjes së tyre.
Nga Drejtori Rukiqi, u theksua se në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, në këtë gjashtëmujor ka rënie të rasteve të lëndimeve të rënda trupore, vjedhjeve, grabitjeve, aksidenteve me fatalitet.
Takimi rezultoi me gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe vazhdimin e takimeve të rregullta mujore.