Është përmbyllur aktiviteti i Javës “Vajzat në ICT 2025”, organizuar nga Qendra e Edukimit dhe Zhvillimit të Teknologjisë – Pro Corders në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Sallën Koncertale të Shkollës së Muzikës në Gjilan.
Në këtë aktivitet, ishin edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, drejtori i Arsimit, Shpend Nuhiu dhe përfaqësues tjerë institucionalë dhe prindërve.
Kryetari i Komunës sē Gjilanit, Alban Hyseni, tha se kishin kënaqësinë që në Sallën Koncertale të Shkollës së Muzikës të përmbyllim aktivitetin e Javës “Vajzat në ICT 2025”, organizuar nga Qendra e Edukimit dhe Zhvillimit të Teknologjisë – Pro Corders.
“Ishte kënaqësi të shohim kaq shumë vajza të reja të apasionuara pas teknologjisë dhe inovacionit, duke dëgjuar fjalime frymëzuese nga profesioniste të fushës së ICT-së dhe rrëfime suksesi që dëshmojnë fuqinë e përkushtimit dhe ëndrrave të mëdha”, tha Alban Hyseni.
I pari i komunës, theksoi se Gjilani do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zhvillimin e vajzave dhe grave në sektorët e teknologjisë dhe inovacionit.
Shpend Nuhiu, drejtori I Arsimit, tha se ishte frymëzim i vërtetë të shohim vajzat tona të motivuara, duke ndjekur rrëfime suksesi dhe duke marrë këshilla nga profesioniste të njohura të sektorit të ICT-së, që dëshmojnë se me përkushtim dhe vizion arrihen rezultate të shkëlqyeshme.
“Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan, mbetet e përkushtuar për të vazhduar mbështetjen ndaj vajzave dhe grave në fushën e teknologjisë dhe inovacionit”, tha Shpend Nuhiu.
Më pas u ndanë mirënjohje për 250 vajza të reja, të cilat me suksese përfunduan trajnimet në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.