ARSIMI

Në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” u mbajt aktiviteti “Balanca digjitale dhe Shëndeti Mendor”

Në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan është mbajtur aktiviteti “Balanca digjitale dhe Shëndeti Mendor”, në të cilin ka ligjëruar psikologe e njohur Vjollca Zymberi. Në këtë ligjëratë – bashkëbisedim me nxënës, ajo është fokusur te tema Sa po e përdorim teknologjinë dhe sa po na përdor ajo?

Në kuadër të projektit të financuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Komunës së Gjilanit, OJQ Aponia po zhvillon sesione me nxënës të shkollave të mesme të ulëta dhe të larta të Komunës së Gjilanit, kurse aktiviteti i parë është organizuar në këtë gjimnaz, për të vazhduar më pas edhe nëpër shkolla të tjera.

Përmes lojërave, diskutimeve dhe aktiviteteve interaktive, të rinjtë po ftohen të reflektojnë mbi temat:

  • sa kohë kalojnë online;
  • si ndikon teknologjia në gjendjen emocionale dhe përditshmërinë e tyre;
  • marrëdhëniet me të tjerët;
  • gjumin, përqendrimin dhe mirëqenien;
  • si dhe mënyrat për të krijuar një raport më të shëndetshëm me teknologjinë.

Në kuadër të projektit po zhvillohet edhe një hulumtim, me qëllim që të nxirren rezultate konkrete mbi mënyrën e përdorimit, kohën e kaluar dhe aplikacionet që të rinjtë përdorin.

Vjollca Zymberi u bëri thirrje të rinjve që të përdorin teknologjinë, por që të mos lejojnë që ajo t’i përdor ata.

Teknologjia tashmë është pjesë e jetës sonë dhe nuk mund t’i ikim. Por mund të zgjedhim si ta përdorim atë.

Balanca digjitale është pjesë e kujdesit për shëndetin mendor. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like