Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi pasditen e sotme në Livoç të Ulët, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri humbën jetën dy qytetarë, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.
Hyseni, në emër të Komunës së Gjilanit dhe në emrin e tij personal, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, duke u dëshiruar shërim të shpejtë të plagosurve.
Ai ka kërkuar që organet e rendit dhe të drejtësisë të ndërmarrin të gjitha procedurat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Reagimi i plotë i Alban Hysenit:
“Pasditen e sotme, qyteti ynë u përball me një ngjarje të rëndë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri humbën jetën dy qytetarë dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Në emër të Komunës së Gjilanit dhe në emrin tim personal, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve për këtë humbje.
Bashkëndjejmë me ju në këto momente të rënda, ndërsa të plagosurit i urojmë shërim të shpejtë.
Presim që organet e rendit dhe drejtësisë të kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.”




