Muzikë

Ilda Nuhiu ndez skenën në Vlorë dhe fiton Grand Prix në “Supreme Voice 2025”!

Një mbrëmje magjike, një festival i tingujve ndërkombëtarë dhe një triumf i jashtëzakonshëm për Kosovën ,kështu u përmbyll edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar “Supreme International Voice Festival”, që këtë vit u mbajt në qytetin bregdetar të Vlorës. Në mesin e më shumë se 80 artistëve të rinj nga vende të ndryshme të botës, shkëlqeu fuqishëm emri i Ilda Nuhiut, solistja shumë e talentuar nga Kosova, e cila u kurorëzua me çmimin e madh Grand Prix, duke rrëmbyer zemrat e publikut dhe jurisë ndërkombëtare.

Me një zë të rrallë, interpretim të fuqishëm dhe prezencë skenike mbresëlënëse, Ilda tregoi pse është një prej emrave më premtues të skenës muzikore shqiptare dhe më gjerë. Me një karrierë që tashmë numëron 36 përfaqësime shtetërore në festivale të ndryshme ndërkombëtare, ajo sërish doli triumfuese, duke fituar jo vetëm Grand Prix-in. Kosova shkëlqeu, dhe përmes zërit të Ildës, u bë një ndër fitueset kryesore në një garë të fortë mes shumë shteteve me talente të jashtëzakonshme.

Një falënderim i veçantë shkon për organizatoren e festivalit, znj. Albana Tushe Curo, e cila me përkushtim dhe profesionalizëm solli në jetë një event kaq të madh artistik, dhe për znj. Edmonda Gashi-Aliko, që me bashkëpunimin e saj frymëzues kontribuoi në mbarëvajtjen dhe suksesin e këtij edicioni të parë.

Një duartrokitje e madhe shkon për të gjithë konkurrentët, të cilët me pasionin, talentin dhe energjinë e tyre krijuan një atmosferë të paharrueshme. “Supreme Voice 2025” ishte më shumë se një festival,ishte një urë lidhëse mes kulturave, një festë e zërit dhe shpirtit njerëzor.

Suksese të mëtejshme për të gjithë artistët dhe le të jetë ky vetëm fillimi i një tradite të re ndërkombëtare në zemër të Shqipërisë!

You Might Also Like