Futboll

E pranon trajneri i FCSB, me Dritën ndeshje e vështirë

Trajneri i FCSB-së, Elias Charalambous: Kundër Dritës na pret një ndeshje e vështirë
Trajneri i FCSB-së, Elias Charalambous, mbajti konferencën për shtyp përpara ndeshjes kundër Dritës, që do të zhvillohet më 7 gusht në orën 20:30, në Arenën Kombëtare, në kuadër të raundit të tretë të Europa League.
Në fjalën e tij, tekniku njoftoi mungesën e mbrojtësit të majtë, Risto Radunovic, i cili ka një problem fizik dhe nuk do të jetë i gatshëm për sfidën. Edhe sulmuesi Denis Alibec është në dyshim për shkak të një dëmtimi që mund të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale.
“Radunovic nuk do të luajë nesër. Sa i përket Alibec, ende po presim një vendim përfundimtar nga mjekët. Ndërkohë, shpresoj që Olaru të rikthehet me ekipin së shpejti,” u shpreh Charalambous.
Duke folur për ndeshjen, trajneri e cilësoi Dritën si një kundërshtar shumë të organizuar dhe të disiplinuar, duke shtuar se ekipi i tij duhet të bëjë paraqitjen më të mirë për të arritur rezultatin e dëshiruar.
“Kjo është vetëm pjesa e parë e përballjes. Ndeshja e dytë do të luhet në Kosovë dhe gjithçka mund të ndodhë. Është thelbësore të jemi të fokusuar dhe të kemi humor pozitiv,” theksoi ai.
Charalambous pranoi se rezultatet e fundit nuk kanë qenë të mira, por theksoi rëndësinë që FCSB të bëjë paraqitje dinjitoze në arenën evropiane.
“Nuk është gjithmonë e lehtë të fitosh, por ne nuk dorëzohemi kurrë. Duhet të luajmë futbollin tonë dhe të japim maksimumin në fushë,” përfundoi trajneri i FCSB-së.

You Might Also Like